14 Nëntor, 2023 - 4:00 pm
Universitetet, institucionet shkencore dhe kulturore në Kosovë dhe Austri, po thellojnë bashkëpunimin e tyre përmes një marrëveshje të nënshkruar sot nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria Federale e Austrisë për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare.
Ministri Hajrulla Çeku priti sot në takim delegacionin austriak, të udhëhequr nga Ambasadori Christoph Thun – Hohenstein dhe së bashku diskutuan për partneritetin e deritanishëm dhe programin e ri për bashkëpunim kulturor për vitet 2024 – 2027.
Përmes marrëveshjes së nënshkruar të dyja palët janë dakorduar për bashkëpunim ndërmjet institucioneve kulturore, përfshirë muzetë, bibliotekat, galeritë, arkivin shtetëror, për kontakte të drejtpërdrejta mes artistëve, shkëmbimin e ekspertëve dhe shkëmbimin e përvojave në të gjitha fushat e artit, filmit, muzikës, në fushën e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale si dhe për bashkëpunim për ngjarjet rinore e sportive. / KultPlus.com