MKRS dhe organizatat e sportit me kërkesë të përbashkët për të lejuar fillimin aktiviteteve sportive në Kosovë

6 Maj, 2020 - 2:56 pm

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe krerët e federatave sportive për të bashkërenduar veprimet dhe hapat, pas lehtësimit të masave të izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

Ministrja Dumoshi ka kërkuar nga organizatat sportive që konkretisht të raportojnë në Departamentit të Sportit se në cilën fazë gjenden dhe cilat janë nevojat e emergjente që ato kanë në mënyrë që institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera ndërlidhëse të qartësojnë se si do të realizohet vazhdimi i përgatitjeve të sportistëve dhe zhvillimi i garave sportive në federatat përkatëse.

Ministrja ndër tjera u shpreh se MKRS-ja ka nënshkruar memorandume me secilën organizatë sportive dhe për të dëshmuar përkrahjen dhe bashkëpunimin me KOK-un dhe federatat sportive, ka ftuar drejtuesit e tyre për të qartësuar dhe koordinuar hapat e mëtejmë për të nisur gradualisht jetën sportive në vend deri në normalitet.

“Ne bashkë me KOK-un dhe federatat e sportit në Republikën e Kosovës, do t’i drejtohemi me një letër të përbashkët institucioneve shëndetësore në vendin tonë për të na e qartësuar dhe lejuar fillimin e përgatitjeve, ushtrimeve të sportistëve dhe vazhdimin e garave dhe aktiviteteve tjera sportive”, tha ministrja Dumoshi duke e vlerësuar si një hap të duhur dhe në interes të gjitha organizatave sportive sepse kërkesa njëzëri pa e trajtuar secilin sport veç e veç tregon për një unitet që mbizotëron në sportin e Kosovës dhe tregon për disiplinën që e karakterizon atë.

“Kosova duhet të shikojë edhe vendet e rajonit se çfarë hapash kanë ndërmarrë në këtë drejtim se si do t’i fillojnë angazhimet dhe aktivitetet sportive dhe ne bashkërisht do të dalim me një kërkesë të përbashkët drejtuar institucioneve shëndetësore për lejimin dhe hapat e duhur për federatat për të aktivitetet e tyre të planifikuara për këtë vit”, sqaroi tutje ministrja.

Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, e informoi ministren se KOK-u ka mbajtur një mbledhje virutale me federatat sportive për t’u informuar mbi situatën e secilës federatë se në ç’fazë janë ato dhe cila prej tyre, në bazë të specifikave që kanë, munden që menjëherë të startojnë me ushtrime dhe gara.

Kryetari Hasani tha se është bërë punë individuale nga ana e sportistëve edhe në këtë kohë izolimi. Fokusi ynë ka qenë tek ekipi olimpik dhe ekipet kombëtare se si ato kanë vepruar. U konstatua dhe u vlerësua se më së miri është që të bëhet një kërkesë e përbashkët e jo kërkesa individuale nga federatat për lirimin e masave të izolimit për të lejuar zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe kjo të shkojë nëpërmjet MKRS-së.

Po ashtu, në takim u bisedua edhe për probleme e sfida tjera që do të ballafaqohen federatat e sportit këtë vit, por që bashkërisht MKRS-ja në bashkëpunim me KOK-un dhe federatat do të bëjnë të gjithçka që është e mundshme për t’u kthyer në normalitet. / KultPlus.com

Të ngjajshme