MKRS dhe UN-Habitat lidhin marrëveshje për trashëgiminë kulturore

16 Dhjetor, 2021 - 4:45 pm

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UN-Habitat në Kosovë kanë zyrtarizuar sot marrëveshjen për integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor, për zhvillim gjithëpërfshirës të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

MKRS ka bërë të ditur lajmin përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare, ku edhe ka thënë se në kuadër të kësaj marrëveshje për tri vitet e ardhshme, parashihet zbatimi i zhvillimit të programit të konservimit të integruar, përmes qasjes gjithëpërfshirëse.

Ky bashkëpunim realizohet nëpërmjet programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria e Suedisë.

Bashkëpunimi i MKRS dhe UN Habitat Kosova, do të bëhet në veçanti për mbrojtjen, zhvillimin, menaxhimin dhe promovimin e zonave të mbrojtura dhe qendrave historike mund të sigurohet nëse arrihet një bilanc ndërmjet mbrojtjes dhe zhvillimit të kontrolluar.

Ky program parasheh zhvillimin i projekteve nga fusha e konservimit të integruar, ku përfshihen zhvillimi i udhëzuesit për bazat e konservimit të integruar, studimet e fizibilitietit për zonat e mbrojtura dhe qendra historike, dhe hartimi i planeve të konservimit dhe zhvillimit për zonat e mbrojtura dhe qendrat historike të Kosovës.

Për ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çeku përfshirja e trashëgimisë kulturore në dokumentet e planifikimit hapësinor, është hap i detyrueshëm në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje efektive, menaxhim dhe zhvillim i kontrolluar i trashëgimisë kulturore në relacion me zhvillimet në nivel të planifikimit hapësinor.

“Ky proces kompleks kërkon angazhim dhe koordinim maksimal nga të gjitha institucionet dhe akterët që veprojnë në këtë fushë”, ka thënë Çeku gjatë këtij takimi.

Ndërkaq, shefi i UN-Habitat në Kosovë, Omar Siddique ka pohuar se Strategjitë Hapësinore të fuqizuara nga kultura, kontribuojnë në modelet e qeverisjes lokale që kanë në qendër njerëzit me qasje nga poshtë-lartë, përmes planifikimit me pjesëmarrje. Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadorja e Suedisë Karin Hernmarck dhe drejtori i Departamentit të Planifikimit Hapësinor Servet Spahiu. /KultPlus.com

Të ngjajshme