MKRS dhe UNKT me programe të përbashkëta për fuqizimin e të rinjve

3 Nëntor, 2020 - 1:20 pm

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim Koordinatoren e OKB-së për Zhvillim Ulrika Richardson dhe Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së në Kosovë, Maria Suooko.

Temë bosht e këtij takimi ishte Rinia dhe bashkëpunimi për programet e platformat e përbashkëta të cilat i mbështesin të rinjtë.

Ministrja Dumoshi i informoi për mjetet dhe mbështetjen që MKRS i ka dhënë të rinjve përmes thirrjeve publike.

“Kemi qenë jashtëzakonisht të lumtur dhe njëkohësisht të befasuar për numrin e tejkaluar të të rinjve të cilët kanë aplikuar për ndërmarrësi. Parashihej që të trajnoheshin 400 të rinj mirëpo si pasojë e këtij interesimi kemi trajnuar 1255 të rinj në total, rrjedhimisht u certifikuan 755 aplikues në trajnime profesionale dhe 500 aplikues në ndërmarrësi. Ky është numri më i madh i të rinjve të trajnuar ndonjëherë dhe për këtë nuk kemi se si të jemi më të kënaqur.”

Çfarë e ka bërë certifikimin edhe më të rëndësishëm është edhe përfshirja e komuniteteve serbë, ashkali dhe egjiptas, të cilët kanë pasur një entuziazëm të jashtëzakonshëm për aftësitë e mara gjatë këtyre trajnimeve.” – theksoi ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi gjithashtu i informoi znj. Richardson dhe znj. Suooko për fondin e rimëkëmbjes prej 5 milion euro në të cilin parashihet: Ndarja e mjeteve financiare e bazuar në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.

Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat. Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive ndërsa Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit.

Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim në Kosovë znj. Richardson dhe Përfaqësuesja e Përhershme të UNDP-së në Kosovë znj. Suooko e falënderuan ministren për pritjen si dhe ofruan bashkëpunim të mëtejmë midis institucioneve, me theks të veçantë për angazhimin e të rinjve në luftën kundër pandemisë Covid -19.

Ky takim u ka paraprirë edhe shumë takime të mëtejme në të cilat do të konkretizohet bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Ekipit të OKB-së në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme