19 Qershor, 2024 - 6:00 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë me dije se, rreth një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Ministrisë së Kulturës dhe British Council në fushën e artit dhe ekonomisë kreative, puna e përbashkët e tyre ka nisur.
“Ministri Çeku dje ka pritur në takim ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ekspertin nga Britania e Madhe për arte dhe ekonomi kreative, John Newbigin, i cili do të jetë i angazhuar në hartimin e strategjisë për industritë kreative në Kosovë”, ka njoftuar ministria.
Ndër të tjera, në njoftim thuhet se kontributi i ekspertit britanik do të fokusohet në hartimin e politikave, kërkimeve dhe avokimit në sektorin e ekonomisë kreative dhe ngritjen e kapaciteteve për profesionistët krijues dhe politikëbërësit, duke siguruar që individët dhe organizatat në fushën e industrisë kreative të rriten.
Vendi ynë nuk ka pasur asnjëherë strategji për zhvillim të industrive kreative dhe, si duket, tash kjo fushë ka marrë vëmendjen e duhur.