17 Nëntor, 2020 - 4:57 pm
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar Komunën e Podujevës me qëllim të përurimit të fushës multifunksionale sportive në Kërpimeh, ku Ministria ka investuar 25 mijë euro dhe të nisjes së punimeve për fushën tjetër multifunksionale sportive në Siboc të Podujevës, projekt të cilin e investon vet komuna.
Po ashtu, ministrja vizitoi edhe stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, në të cilin janë duke u zhvilluar punimet e fazës së dytë dhe ministria po investon 750 mijë euro. Kurse në fazën e tretë do të investohen edhe 1 milion euro dhe fusha e stadiumit do të bëhet me bari natyral ashtu edhe siç kërkohet sipas standardeve. Në projektin e investimeve në këtë stadium janë paraparë edhe rregullimi i tribunave dhe ndriçimit, ndër shumë detaje tjera.
Ministrja Dumoshi me këtë rast vlerësoi se MKRS-ja e ka përkushtimin për zhvillimin e sportit ku përfitues në rend të parë janë të rinjtë, sportistët aktiv dhe qytetarët e komunitetit të kësaj rrethine.
“Përkushtimi im si ministre do të vazhdojë do jetë në secilën komunë, në çdo cep të Kosovës, për avancimin e sportit, por edhe në kulturë e në rini. Kjo është vizita ime e katërt në komunën e Podujevës me qëllim të fillimit, inspektimit dhe përurimit të shumë projekteve sportive”, tha ndër të tjera ministrja.
Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja ashtu siç ka bashkëpunim të shkëlqyer me Komunën e Podujevës, një bashkëpunim të tillë e ka me të gjitha komunat e Kosovës pa përjashtim, në shumë projekte në fushat në të cilat janë në domenin e MKRS-së.
Ndërkaq, u.d. kryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se këto projekte sportive janë në interes të qytetarëve të këtyre lokaliteteve dhe do të plotësojnë hapësirat e munguara për aktivitete sportive.
Rudari e falënderoi ministren dhe MKRS-në për tërë përkrahjen që ka treguar ministria për realizimin e projekteve të ndryshme, e këtyre në Kërpimeh e Siboc, dhe në stadiumin e qytetit në veçanti./ KultPlus.com