MKRS-ja nis procedurat për restaurimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë

31 Gusht, 2023 - 10:40 pm

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se sot është mbajtur takimi i përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vartëse të trashëgimisë kulturore të MKRS-së për të diskutuar ndërmarrjen e hapave për mbrojtje të Muzeut të Muzikës në Gjakovë që është djegur dje.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të MKRS-së:

Institucionet përgjegjëse të Trashëgimisë Kulturore kanë ndërmarrë masat e nevojshme që “Taphanja” në Çarshinë e madhe në Gjakovë – monument i mbrojtur i destinuar rishtazi për Muze të Muzikës, i cili është kapluar nga zjarri ditën e djeshme më datë 30.08.2023, të mbrohet nga rreziku i mëtejmë.

Ringritja e kësaj ndërtese tradicionale është realizuar para mbi një dekade me fonde të MKRS-së, si pronë publike e Komunës së Gjakovës. Lidhur me gjendjen dhe evitimin e rreziqeve nga kanosjet evidente të kësaj ndërtese me status “Aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje”, në muajin prill 2023, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore (ITK) ka realizuar inspektimin dhe ka dhënë rekomandimet për masat që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse. Në kuadër të buxhetit për investime kapitale, MKRS ka ndarë buxhet për ndërhyrje restauruese në këtë monument.

Sa i përket incidentit që ka ndodhur dje nga zjarri, janë ndërmarrë masat nga Policia, si organ kompetent. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (QRTK) Gjakovë ka dalë në terren menjëherë pas marrjes së lajmit, ku kanë qenë të pranishëm edhe zjarrfikësit si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Sot, më datë 31.08.2023, është mbajtur takim i përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vartëse të trashëgimisë kulturore të MKRS-së për të diskutuar ndërmarrjen e hapave për mbrojtje të monumentit.

Janë një varg masash që autoritetet përkatëse janë dakorduar që të ndërmerren, si: zbatimi i masave emergjente, vlerësimi i dëmeve, procedimi i shpejtë për ndërhyrje dhe implementimi i punëve për konservimin, restaurimin dhe funksionalizimin e ndërtesës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të angazhohet me institucionet përgjegjëse të sigurisë që të identifikohet arsyeja e zjarrit dhe të ndërmerren masat ligjore. Në të njëjtën kohë, apelojmë tek qytetarët për respektim vlerësim dhe kujdes të shtuar ndaj monumenteve të trashëgimisë kulturore si pasuri e përbashkët e shoqërisë./KultPlus.com

Të ngjajshme