3 Mars, 2025 - 6:54 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se pas përmbylljes së procesit të kategorizimit, janë nënshkruar memorandumet e para të këtij viti me federatat sportive, për zhvillimin e aktiviteteve të tyre vjetore përgjatë vitit 2025.
Në njoftim thuhet se memorandumet sot janë nënshkruar me Federatën e Hendbollit, Karatesë, Pingpongut, Notit dhe atë të Triathlonit, të cilat i kanë kryer me sukses obligimet e tyre për harmonizimin e akteve normative në përputhje me Ligjin e ri të Sportit, dhe me ç’rast u hapet rruga e përfitimit financiar përmes këtyre memorandumeve.
“Zëvendësministrja Daulina Osmani me këtë rast i njoftoi federatat prezente që sivjet është paraparë që çdo federatë ta ketë për obligim që së paku 30% të shumës totale të përfitimit t’ia dedikojnë aktiviteteve sportive për vajza dhe gra, me qëllim të zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejmë të sportit femëror në vend”, thuhet në njoftim.
Buxheti vjetor i federatave është përcaktuar përmes shumëzimit të pikës nga vlerësimi në kategorizim dhe vlerës së pikës të përcaktuar nga Ministri.