22 Shtator, 2022 - 8:19 pm
Ministria e Kulturës ka shkruar për titullin “Doctor Honoris Causa” të ndarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, shkruan KultPlus.
Në një ceremoni solemne të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot iu dha titulli “Doctor Honoris Causa” trajnerit dhe selektorit të përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Ai u vlerësua për kontributin e dhënë në fushën e sportit, rezultatet e arritura në xhudo në arenën ndërkombëtare dhe kontributin që ka dhënë në afirmimin dhe ngritjen e imazhit të Kosovës në botë.
Kuka është propozuar për këtë çmim nga dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. asoc. dr. Musa Selimi dhe senati i UP-së, me në krye rektorin, prof. dr. Naser Sahiti, i ka dhënë këtë titull nderi trajnerit.
Në këtë ngjarje e pranishme ishte edhe zëvendësministrja e sportit, Daulina Osmani, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, përfaqësues të institucioneve, kampionët olimpikë dhe personalitete të rëndësishme nga fusha e sportit. /KultPlus.com