29 Qershor, 2022 - 1:30 pm
Ka vdekur sot Esma Mulla, një nga balerinat e para në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ngushëlluar familjen dhe gjithë komunitetin artistik të kulturës në Kosovë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se u nda nga jeta Esma Mulla, njëra prej balerinave të gjeneratës së parë të Kosovës.
Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit ndërsa me performancat e saj, ka shënuar kthesë jetike jo vetëm për baletin por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh si “Legjenda mbi ngadhënjimin“,“Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“.
Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi.
Ngushëllime familjes së Esma Mullës, miqve dhe komunitetit artistik!”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së. /KultPlus.com