10 Mars, 2020 - 12:16 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëhet me zëvendësministrin e dytë. Ministrja Vlora Dumoshi, e ka pritur zyrtarisht zëvendësministrin Yll Rugova, në marrjen e detyrës.
Gjatë këtij takimi formal, Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova për programin dhe synimet që pritet të realizohen prej MKRS-së gjatë këtij mandati e veçanërisht për aktivitetet e punët që synohen që të arrihen gjatë këtij viti.
Ministrja Dumoshi tha se është një fat për ministrinë që ka ardhur në pozitën e zëvendësministrit një person si z. Rugova i cili i njeh fushat me të cilat merret MKRS-ja, pasi që ka qenë drejtor për kulturë, rini dhe sport në Komunën e Prishtinës.
Dumoshi e Rugova biseduan për ndarjen e përgjegjësive dhe bashkërendimin e punëve që ka përpara udhëheqja e ministrisë, nën frymën e një bashkëpunimi konkret dhe efikas.
Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova edhe me sfidat që ka MKRS-ja në avancimin e fushave që mbulon dhe se pret që bashkërisht t’i zgjidhin ato në kuadër të përmbushjes së objektivave të ministrisë.
Ndërkaq, zëvendësministri Rugova e falënderoi ministren për pritjen dhe u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për të plotësuar nevojat dhe arritur pritshmëritë që janë vënë si synim në avancimin e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë. /KultPlus.com