MKRS: Shtatë dekada nga hapja e kinemasë Lumbardhi, në Prizren

27 Maj, 2022 - 4:30 pm

Në kuadër të programit për 70 vjetorin e themelimit të Kino Lumbardhit u promovua libri “Lumbardhi: një histori episodike” dhe filloi programi i filmit LXX në Kino Bahçe.

Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltarët Nora Arapi Krasniqi dhe Onur Canhas.

Ministri Çeku në fjalën e tij bëri të ditur rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë Lumbardhi si aset në mbrojtje të shtetit, i cili trajtohet me prioritet nga ana e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të programit të restaurimeve dhe të reformimit ligjor të institucioneve të kulturës dhe kinematografisë, ndërsa theksoi përkushtimin institucional që kjo kinema të vazhdoj të ruaj vlerat e saj dhe funksionin në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë.

Fjalën e morën edhe drejtoresha e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanović, si dhe kuratorët e programit të filmit.

Ngjarja vazhdoi me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” nga Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, libër ky që flet për takimin dhe ndërveprimin mes Kino Lumbardhit dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri.

Në Kino Bahçe programi do të vazhdojë deri në muajin shtator, me mbi 40 shfaqje filmike të prezantuara në orare dhe formate të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së. /KultPlus.com

Të ngjajshme