19 Prill, 2021 - 10:05 am
Ditën e djeshme u bë e ditur se Uta Ibrahimi përfundoi ngjitjen në majen Annapurna, ndër majat më të rrezikshme në Himalaje, duke u bërë kështu alpinistja e parë shqiptare që ngjiti atë maje, shkruan KultPlus.
Sot, përmes një postimi në faqen zyrtare, MKRS ka uruar Ibrahimin për punën e saj të madhe, përkundër vështirësive.
”Uta e majave të maleve!
Uta Ibrahimi ka përfunduar ekspeditën e ngjitjes në majën Annapurna me lartësi 8091m, e cila është ndër majat më të rrezikshme për ngjitje në Himalaje, Nepal.
E përgëzojmë Utën për përfundimin e kësaj ekspedite sfiduese. Ekspedita e saj ishte disaditore dhe përkundër vështirësive gjatë ngjitjes – ajo nuk u dorëzua. Me këto suksese Uta bëhet alpinistja e parë shqiptare që ngjitet në Annapurna.
Alpinistja synon të ngjitë 14 majat e Himalajave me lartësi mbi 8000m. Kjo ishte maja e gjashtë që Uta e ka ngjitur në kuadër të nismës së saj.
Utës i urojmë shumë suksese në ngjitjet e ardhshme”, thuhet në postimin e MKRS. / KultPlus.com