20 Nëntor, 2024 - 8:01 pm
Kur ishte në universitetin e Kazanit nuk rrinte shumë me shokët, me të cilët pothuaj nuk njihej. Rrinte gjithnjë në një nga bankat më të largëta nga profesori. Këtë e bënte se gjatë mësimit lexonte vepra letrare dhe filozofike.
* Kur poezitë në prozë të Turgenievit patën në Rusi sukses të madh, Leon Tolstoi provoi të shkruajë dhe ai në këtë gjini. Për të pasur një gjykim sa më të paanshëm për punët e tij, ia dërgoi materialin me pseudonim një revistë që drejtohej prej një miku të tij. Tolstoi atëherë ishte i famshëm dhe shkrimi i tij si do që të ishte do të botohej, prandaj nuk e përdori emrin e vet. Redaktori e ktheu dorëshkrimin si të pabotueshëm, sepse autori nuk e kishte ende përvojën në artin e të shkruarit.
Tolstoi nuk thuri më kurrë poezi në prozë.
* Tolstoi prekej shumë shpejt. Turgenievi, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh që ishte zemëruar me të, shkoi për ta takuar në Jasnaja Poljana. Gjatë ditëve që ndenji atje foli shumë për veprat e tij dhe i lavdëroi ato.
Pasi u kthye Turgenievi, Tolstoi i shkroi: “Kur dëgjoj për veprat e mia provoj një ndjenjë komplekse, ku elementi kryesor është turpi dhe dyshimi se po më tallin. Megjithëse besoj në mirësinë tuaj më duket se ju keni qeshur me veprat e mia.
Më mirë do të jetë që të mos flasim më këtej e tutje me njeri-tjetrin”.
* Tolstoi ishte supersticioz dhe shpesh thoshte se numri 28 kushtëzohej me disa gjëra të jetës së tij. Ai kishte lindur me 28 gusht 1828 dhe ishte martuar në datën 28. Më 1910 i biri i tha një ditë i shkujdesur:
– Ki kujdes baba se këtë vit t’i mbush 82 vjeç dhe numri 82 është 28-ta e përmbysur.
– Ndoshta, – u përgjigj Tolstoi, – bëre mirë që ma the. Ai vdiq atë vit.
* Një ditë kur po shëtiste me kalë me të birin humbi rrugën në mes të pyllit.
– E di se ku jemi këtu? – e pyeti djalin.
I biri i tha se Jasnaja ishte përpara tyre. Dhe Tolstoi donte të kthehej në shtëpi, duke ndjekur atë drejtim.
– Është e pamundur, – i tha i biri, – nga kjo anë ka shumë ferra që do të na i çjerrin duart.
Tolstoi nuk deshi të kthehej mbrapa dhe i tha të birit:
– Sidoqoftë le ta provojmë! Vazhdoi të ecte me kalë dhe ferrat e para nisën të gërvishin. I biri e pa krejt të gjakosur por aspak të shqetësuar.
– Vështro biri im, – i tha, – siç e sheh unë jam çjerrë gjithandej nga ferrat, por ç’rëndësi ka? Unë kërkoj në çdo gjë rrugën e drejtë, dhe në qoftë se do të çirrem ende, prapë do kërkoj rrugën e drejtë që është edhe e vërteta.
* Një ditë shkoi për ta takuar nacionalisti i famshëm Derul dë Pol, që mbronte idenë e fitores ndaj Gjermanisë.
* Leon Tolstoi që zakonisht me të huajt ishte i sjellshëm dhe shumë korrekt, këtë radhë e humbi durimin dhe iu përgjigj:
– Kufijtë duhet të përcaktohen me marrëveshjen e popujve dhe jo me hekur dhe gjak. Dhe kur të ketë njerëz që do ta kuptojnë këtë atëhere nuk do të ketë më luftëra në botë.
* Kur e mbaronte së shkruari një kapitull të romanit ia kopjonte e shoqja ose një nga të bijat. Kjo kopje i duhej shkrimtarit të madh si një skicë për të punuar mbi të. Në pak ditë e mbushte me korrigjime, prishje me laps dhe me shtesa.
– Atëhere kapitulli duhet kopjuar për së dyti. Ka disa kapituj nga romanet e tij që janë kopjuar deri edhe dhjetë herë.
* Kur Tolstoi besonte se kishte arritur qartësinë dhe përsosmërinë e dëshiruar, ua lexonte veprën e re njerëzve të tij të afërm nganjëherë dhe fshatarëve. “Pushteti i errësirës”, u lexua përpara fshatarëve, të cilët nuk e pritën mirë. Në pjesën më emocionale të dramës ata qeshën kur dëgjuan disa fjalë vulgare që përdorte në dialog Tolstoi.
* Tolstoi e donte shumë muzikën, sidomos muzikën e Bethovenit. Kur dëgjoi një pjesë të Bethovenit u emocionua shumë sa iu mbushën sytë me lot, por nga që nuk donte ta kuptonin të pranishmit, i tha së bijës:
– Më jep pak shaminë se më ka zënë rrufa.
* Në shtëpinë e Tolstoit ishin piktori i shquar Rjepin dhe aktori Andrejev. Kur po bisedonin të tre së bashku, një zonjë, e cila kishte ardhur për t’i bërë vizitë zonjës së Tolstoit, u ul në piano dhe nisi të luajë me shumë ndjenjë “Sonatën e Krajtzerit” të Betovenit.
Të gjithëve u la shumë mbresa. Atëherë Tolstoi tha:
– A duhet të bëjmë edhe ne sonatën tonë Krajtzerit? Unë do ta shkruaj, Rrjepini do të pikturojë dhe Andrejevi do ta recitojë.
Propozimi u pranua me entuziazëm, por vetëm Tolstoi e kreu detyrimin e tij.
Tolstoi i tha Gorkit:
– Po të isha mbret, do të nxirrja një ligj që do t’ia ndalonte të drejtën e të shkruarit atij shkrimtari që përdor një fjali kuptimisht të gabuar ose ai që do të bënte gabim gramatikor të fishkëllehej nga lexuesi.
– Si, – u përgjigj Gorki, – po liria e të shkruarit?
– Liria për të shkruar deri sa duhet, por jo liri për të shkruar keq.
* Pas krizës që pësoi më 1880 Tolstoi vishej shumë thjesht pothuaj fare
pa kujdes.
Një herë në Tula u dha shfaqja e një drame të Tolstoit,
Tek artisti që drejtonte shfaqjen u paraqit portieri i teatrit:
– Në hyrje, – i tha, – është një fshatar si gjysmë budalla, që kërkon me
çdo kusht të hyjë në teatër dhe të asistojë në prova. Thotë se ju njeh, po mua më duket e pamundur, sepse është fjala për një fshatar injorant dhe të pagdhendur.
Kryekomiku doli te hyrja dhe u gjend ballëpërballë me Leon Tolstoin që ishte veshur me rroba dhe këpucë të bëra vetë.
Në vitin 1891 Leon Tolstoi ishte i zënë me një punë shumë të rëndësishme. Kur shpërtheu zia e bukës, ai la çdo gjë dhe iu vu punës për organizimin e ndihmave për të uriturit. Atëherë hapi mbi dyqind mensa falas.
Një herë, duke ditur që një grua e ve e varfër fshatare vetëm nuk mund ta korrte grurin, Tolstoi shkoi vetë me drapër në dorë për të ndihmuar, duke punuar përplasi gjurin pas një rrote. Pa u ankuar fare vazhdoi punën. Dhimbja iu shtua shumë. Nga ethet i hipi temperatura e lartë. lu desh të shtrihej në shtrat për disa javë, por nuk u ankua fare.
* Më 25 shkurt 1901 Leon Tolstoi u shkishërua nga Sinodhi i shenjtë. Atë ditë të gjitha kishat e Rusisë kishin lëshuar anathema kundër këtij “armiku të zotit dhe të perandorit”. Tolstoi atëherë ishte në Moskë. Atje po kalonte nëpër një rrugë kryesore. Menjëherë turma e njohu dhe e rrethoi me dashuri të madhe. Njeri prej tyre tha:
– Po ky na paska qenë djalli me fytyrë njeriu?!
Grumbulli i njerëzve e mbuloi me brohoritje dhe me thirrje: “Rroftë Tolstoi”. U desh ndërhyrja e xhandarmërisë për të shpërndarë grumbullin e madh të njerëzve.
* Ditën e shkishërimit, Tolstoi kaloi para pallatit të guvernatorit të përgjithshëm të Moskës. Kur e pa shkrimtarin grupi i ushtarëve, që bënin shërbimin e rojës para portës së guvernatorit, me një lëvizje të menjë-hershme, u vu në pozicion gatitu dhe për nder armë. Tolstoi iu kthye mikut që e shoqëronte dhe i tha duke qeshur:
– Vështro more mik se si këtu te ne në Rusi, i bëjnë nderime ushtarake një krimineli të shtetit që është shkishëruar.
* Drejtori i “Gazetës zyrtare” shkruante në ditarin e tij:
“Në Rusi tani kemi dy Carë: Nikollën II dhe Leon Tolstoin.
Ky i dyti është ndoshta më i fuqishëm se i pari, sepse ndërsa Nikolla nuk mund të bëjë gjë kundër Tolstoit, ky minon çdo ditë e më shumë autoritetin e fronit të Nikollës II në Rusi”.
* Shumë punëtorë shkonin ta takonin Tolstoin që të bindeshin nëse ai vërtetë merrej me punë krahu. Një këpucar erdhi për të parë në se këpucët që kishte bërë Tolstoi ishin të punuara mirë dhe i dha disa këshilla profesionale shumë të vlefshme. Një herë tjetër u paraqit te Tolstoi një njeri i varfër, i zbehtë në fytyrë e me lot në sy. Ai i tregoi se gruan e kishte të sëmurë shumë rëndë nga tuberkulozi. Në pranverë do të vdiste pa tjetër:
– E po, të lutem mjeshtër, të më shkruani një gisht letër dhe të më thoni a do të rrojë gjatë ime shoqe? E si të mos besojmë te Leon Tolstoi? Kështu të paktën ajo do të vdesë e qetë.
Tolstoi u emocionua shumë. Ai ishte gati që ta shkruante letrën, por i tha vizitorit se kështu ai do të bënte një gënjeshtër kurse ai ishte mbrojtësi i së vërtetës absolute.
I varfëri i kërkoi ndjesë. Kur u largua, Tolstoi psherëtiu i hidhëruar, duke menduar se nganjëherë gënjeshtra mund të ketë edhe anën e saj më të mirë.
* Tolstoi në vitet e fundit të jetës së tij ishte kundër artit për art dhe kundër metodave të mësimit të artit nëpër akademi dhe konservatorë.
* Kur po bisedonte me disa miq për këtë temë një nga bashkëbiseduesit i tha:
– E po mirë, le ta zemë se keni arsye dhe po mbyllën të gjitha institutet artistike. Po me çfarë do të zëvendësohen?
Leon Tolstoi u përgjigj: – Vërejtja juaj është njësoj si kjo që do t’ju them tani: sikur ju të kini një ënjtje në faqe nga dhëmballa, vini tek unë dhe unë ua heq dhëmballën e sëmurë. Ju nuk do të kënaqeni me mua dhe do të më thoni:
“Po kjo faqja ime që u shfry me se do të zëvendësohet?”
– Me asgjë, nuk ka nevojë të zëvendësohet, – iu përgjigj bashkëbiseduesi.
* Leon Tolstoi hyri në sallon kur e shoqja po u lexonte fëmijëve një kapitull nga “Lufta dhe Paqja”. Ndenji në këmbë te praku i derës duke dëgjuar dhe kur kapitulli mbaroi tha papritur:
– Sa i bukur që ishte!
* Leon Tolstoit i thanë se në të gjithë fshatin Jasnaja Poljana fshatarët e tij kishin vetëm tri lopata që nuk mjaftonin për punë. Ai nuk pranoi të blejë të tjera duke thënë:
– Më mirë kështu! Fshatarët do t’ia huajnë njëri- tjetrit lopatat dhe do të mësojnë të ndihmojnë dhe të duhen ndërmjet tyre.
* Tolstoi e pati të shoqen një bashkëpunëtore të çmuar…
Një mbrëmje ai i tha:
– Merre këtë letër dhe më shkruaj të gjitha fjalët që të kam thënë kur të kërkova të bëheshe gruaja ime. Shpresoj se do të kujtohesh.
E shoqja mori letrën dhe nisi të shkruante. E gjithë ajo që shkroi dhe që i shoqi e rikopjoi, ishte deklarata e fashme e dashurisë që gjendet te Ana Karenina.
* Një ditë Tolstoit i erdhi një zonjushe. Ajo kishte trashëguar një milion monedha të kushtueshme dhe kërkonte mendim se si t’i përdorte sa më mirë ato.
– Digjeni atë fond, – e këshilloi Tolstoi.
– Si thatë? Po me atë mund të ngrihet një azil për pleqtë ose një konvikt për fëmijët?
– Dhe për këtë doni t’i shpenzoni? Jo, prindërit nuk duhet t’i çojnë prindërit në azil. Digjeni, më dëgjoni mua, është gjëja më e mirë që mund te bëni.
* Tolstoi hapi një shkollë për fëmijët e fshatarëve të tij ku zbatoi një sistem të ri mësimi. Mësimi nuk duhej të jepej mekanikisht dhe me pahir. Kur te nxënësit sbihte lodhje dhe mungesë dëshire për mësim e mbyllte shkollën. Pas një ndërprerje pak a shumë të gjatë ai dëgjoi të trokitnin në portën e tij. Zërat fëminore të nxënësve i thoshnin:
– Ju lutemi hajdeni na bëni mësim, kemi dëshirë të studiojmë. / KultPlus.com