Monedha e re e dy eurove, në nderim të punëtorëve shëndetësor

21 Janar, 2021 - 7:07 pm

Italia ka stampuar një monedhë 2-euroshe të enjten për të nderuar punëtorët shëndetësorë gjatë pandemisë Covid-19.

Italia është vendi i parë i Perëndimit që është goditur nga koronavirusi dhe punëtorët shëndetësorë e kanë mbajtur barrën e sëmundjes, duke punuar pa u lodhur qëkur virusi nisi përhapjen e madhe në shkurtin e kaluar.

Për ta shprehur mirënjohjen, në dizajnin e monedhës shihen dy punëtorë shëndetësorë me maska: një grua dhe një burrë, ku mbi ta është e gravuar fjala italiane “grazie”, që do të thotë faleminderit.

“Këtë vit u goditëm nga kjo tragjedi e Covid-19, kështu që Ministria e Ekonomisë mendoi që ta krijojë një monedhë përkujtimore, për t’i falënderuar të gjithë punëtorët shëndetësorë, të cilët kanë punuar dhe po punojnë fort për shëndetin tonë dhe për ne”, ka thënë dizajnerja e monedhës Claudia Momoni në Romë.

Tre milionë monedha të tilla do t’i shpërndahen publikut në maj apo qershor. Disa mijëra kopje të monedhës origjinale do të jenë në dispozicion për t’u blerë për koleksionim.

Italia ka regjistruar 83,681 vdekje nga COVID-19, shifra e dytë më e lartë në Evropë dhe e gjashta në botë. Vendi ka raportuar gjithashtu 2.41 milionë raste deri më tani. /Koha/ KultPlus.com

Të ngjajshme