5 Maj, 2024 - 11:00 pm
Sot, më 5 Maj, Banka e Shqipërisë përkujton me nderim dëshmorët e kombit që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Në një postim në rrjete sociale BSH-së shkroi se, “e cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar në kujtim të 5 majit 1942, ditës kur u vra Qemal Stafa, i riu aktivist i Luftës Nacionalçlirimtare”.
“Në këtë ditë të shënuar kujtojmë me përulje të gjithë ata që me akte të rralla patriotizmi, vetëmohimi dhe heroizmi, kontribuuan në luftën për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar, deri në dhënien e jetës, si dhe nderojmë ata të cilët kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, të interesave kombëtarë shqiptarë, në luftën kundër terrorizmit dhe krimit ndaj jetës së individit, mbrojtjen e pronës publike, apo në ndihmë të popullsisë në raste fatkeqësish natyrore”, citon BSH-ja.
Banka e Shtetit Shqiptar e ka nderuar luftën për çlirim kombëtar nga pushtuesit e huaj, me kartëmonedhën 50 Lekë të vitit 1964, të dizenjuar nga piktori Hysen Devolli.
Kjo kartëmonedhë gjendet në shitje në dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, për të gjithë të gjithë të interesuarit në blerjen e kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, për qëllime numizmatike. / KultPlus.com