10 Mars, 2025 - 10:33 am
Vithkuqi është një prej fshatrave më të bukur turistikë në Korçë, me një pasuri të rrallë kulturore, të cilën e dëshmojnë edhe kishat, monumente të veçanta me vlera arkitektonike dhe artistike.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, ndau në rrjetet sociale pamje nga kisha e Shën Mëhillit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qarkut Korçë dhe dëshmi e gjallë e pasurisë kulturore dhe historike të kësaj zone.
Kisha e Shën Mëhillit është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës dhe artit fetar që ka karakterizuar këtë zonë për shekuj me radhë.
“Nga Kisha e Shën Mëhillit në Vithkuq deri tek qyteti i Korçës, trashëgimia kulturore e kësaj zone është një pasuri që vazhdon të jetojë, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare”, shkruan Filo.
Vithkuqi është vendtakimi mes natyrës mbresëlënëse, artit mesjetar dhe mikpritjes.
Vizitorët vendas e të huaj e identifikojnë Vithkuqin si fshatin e kishave e manastireve, sepse dikur ka pasur më shumë se 24 të tilla, mes të cilave Manastirin e Shën Pjetrit, Kishën Shën Mërisë, Kishën e Shën Mëhillit, Kishën e Shën Thomait dhe Kishën e Shën Gjergjit.
Kishat e Vithkuqit të tipit bazilikë janë të pasura me afreske dhe ikonastase të punuar nga mjeshtërit e pikturës, vëllezërit Zografi./atsh/KultPlus.com