Monumenti historik kushtuar Luftës së Vlorës i shtohet listës së ndalesave turistike

1 Shtator, 2020 - 6:30 pm

Monumenti historik kushtuar Luftës së Vlorës, në një nga kodrat më të bukura të qytetit, i është shtuar listës së stacioneve të turistëve që vizitojnë Vlorën dhe simbolet e ngjarjeve të saj më të rëndësishme historike.

Kryetari i bashkisë së Vlorës inspektoi sot nga afër këtë monument që pritet të përurohet nesër.

“Ndërmarrja e gjelbërimit në ditët e nxehta të gushtit bëri një punë kolosale për të shndërruar një vend që ishte lënë pothuajse në harresë plot me plehra e hedhurina në një destinacion të ri turistik në respekt të qytetit, të luftës së Vlorës dhe në respekt të këtij monumenti fantastik. Që është një nga veprat e artit historik që ne kemi në një kodrat më të bukura të qytetit pavarësisht se këtu ka ndërtime pa leje, që janë ndërtuar kaq pranë objekteve historike duke prishur edhe peizazhin”, – theksoi Leli.

Kryebashkiaku  Leli u shpreh se kjo ndërhyrje që u bë me shumë sakrificë, përkushtim njerëzor dhe me mbështetje të donatorëve, si Dhimo, që ka sjellë gurin nga zona e lumit të Vlorës, për pjesën e  shkallares dhe Thimo që ka bërë tapetin e betonit këtu dhe ka ndihmuar në tapetin e barit”.

Leli falënderoi edhe Ndriçimin një nga banorët e lagjes, që ka ruajtur shkrimin në piedestal të monumentit, i cili ishte futur mes hedhurinave të viteve të fundit për të na treguar të gjithëve se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për historinë. “Për fat vazhdon të jetë falë ruajtjes së banorëve të zonës dhe punës së shkëlqyer të “Shehaj Metal” që e risolli përsëri në piedestalin e këtij monumenti”, tha Leli.

Kryetari i bashkisë së Vlorës u shpreh se ““është shtruar edhe rruga që lidh Qafën e  Babicës, deri tek monumenti. Ky monument do të përurohet në  kuadër të 100- vjetorit të luftës së Vlorës”. atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme