23 Qershor, 2022 - 10:30 pm
Arbëreshët, të mbërritur në pjesën jugore të Italisë rreth shekullit XV, kryesisht në pjesën e Calabria-s, dallojnë në shumë faktorë dhe elementë jo vetëm nga italianët, por edhe nga vetë shqiptarët e sotëm.
Ndërkohë që shoqëria moderne shqiptare ka evoluar disi në tradita e zakone, ajo arbëreshe, ka ruajtur zanafillat e vjetra social-kulturore.
Një ndër këto tradita, është edhe torta dasmore, e njohur si Mostacciolo.
Në zonën e Spezzano Albanese-s, veçanërisht, kjo tortë është magjepsëse. Ajo mbart dekorime të ngjashme me kostumet popullore shqiptare shekullore.
Disa çaste të jetës komunitare, vendosen si zbukurime të konsumueshme mbi tortën e praruar me trashëgimi kulturore.
Martesa në kulturën arbëreshe – ashtu si në shumë kultura botërore – cilësohet si një ndër ngjarjet më të mëdha në jetën e njeriut. Ndaj edhe tradita gastronomike e pasqyron kaq larmishmërisht gjithë ngjarjen në një tortë.
Shpesh, në to, mund të fshihen edhe simbolika të fshehura. Secila familje e përgatit me mënyrën e vet, por me rëndësi është ruajtja e përcjelljes së informacionit në të.
Vlera antropoligjike e këtij pështjellimi kulinar thuajse të tejçuar në art, është po ashtu e madhe.
Apogjeu i dasmës? Prerja (thyerja) e tortës!
Të ndihmuar nga të ftuarit, arbëreshët nuk e konsumojnë tortën si të tillë, por ja hedhin njëri-tjetrit.
Burri, si për të simbolizuar forcën e tij, mund të përdorë vetëm njërën dorë. Gruaja, nga ana tjetër, të dyja.
Ajo që fiton, është thuajse gjithmonë “pjesa e ëmbël e çiftit të ri”.
Ndërsa çmimi i fituar, është simbolika e pushtetit në shtëpi, që u takon pa diskutim nuseve.
Mostaccio mund të duket thjesht si një ëmbëlsirë, si një skulpturë e ngjizur nga mielli dhe mushti i verës, por është shumë më shumë se aq.
Ai përfaqëson dimensione, forma, ekspertizë, fantazi dhe shumë dashuri. Elementë këta të vendosur si themel i një raporti martesor.
Një ëmbëlsirë tipike arbëreshe, e cila rrjedh në gjakun e tyre shqiptar prej shekujsh.
Një ëmbëlsirë, që është ruajtur si identitet dhe vlerë e shtuar arbëreshe. Si kult, për të përfshaqur atë çfarë janë shqiptarët e parë përtej detit, por me rrënjë në origjinë./diasporashqiptare/ KultPlus.com