24 Nëntor, 2023 - 4:30 pm
Përmes një konference, Ministria e Punëve të Brendshme ka vënë në funksion Bazën e të Dhënave për Viktimat e Trafikimit, e cila cilësohet si shumë e rëndësishme për evidentimin dhe ruajtjen e të dhënave të raportuara dhe evidentuara të rasteve të trafikimit me njerëz.
Koordinatori Kombëtar kundër Trafikimit me Njerëz, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, theksoi se pas një periudhe intensive, posaçërisht muajin e fundit, sot jemi mbledhur të finalizojmë lansimin e bazës së të dhënave për viktimat e trafikimit.
“Trafikimi me njerëz është shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut që shtyp vlerat themelore të një shoqërie demokratike. Jemi përkushtuar që me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, ta ndërtojmë një shoqëri me vlera dhe të sigurt për të gjithë. Kosova është vendi i parë në rajon me një bazë të të dhënave ndër-institucionale, një mjet thelbësor që do të na e mundësojë mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave kyçe për hartimin e politikave strategjike në parandalim dhe luftim të trafikimit me njerëz dhe ofrim cilësor të shërbimeve për viktimat e prekura”, theksoi Gashani.
Ndërkaq Sekretarja e Përgjithshme e MPB-së, Fahrije Ternava-Sheremeti, theksoi se “zhvillimi i kësaj baze të të dhënave ka një rendësi të veçantë për ne si ministri përgjegjëse, e cila përveç që do të mundësojë menaxhimin e rasteve e profilizimin e viktimave të trafikimit, do të mundësojë që në kohë reale të kemi informatat relevante”. / KultPlus.com