Ms Indefinite vjen me video-performancën ‘Vitruvian Woman’, riformulon dhe rikonceptualizon figurën dhe konceptin e ‘Vitruvian Man’ (VIDEO)

18 Shtator, 2024 - 11:27 pm

Ms.Indefinite së fundi është paraqitur me video performancën e saj të re ‘Vitruvian Woman’, përcjell KultPlus.

’Vitruvian Woman’ riformulon dhe rikonceptualizon figurën dhe konceptin e “Vitruvian Man”, duke e (de)strukturuar përmes rikrijimit artistiko-feministe.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të Ms.Indefinite:

Video-performanca “Vitruvian Woman” riformulon dhe rikonceptualizon figurën dhe konceptin e “Vitruvian Man”, duke e (de)strukturuar përmes rikrijimit artistiko-feministe.
Në faqet e historisë së artit, “Vitruvian Man” e Leonardo da Vincit qëndron si një simbol thelbësor i formës ideale të njeriut (në portretizimin mashkullor), duke harmonizuar proporcionin dhe simetrinë me parimet e arkitekturës klasike. Skica e Da Vincit ka shërbyer dhe shërben si testament i idealit të Iluminizmit që njeriu (në simbolin e burrit) është masa e të gjitha çështjeve jashtë dhe brenda katrorit dhe rrethit kozmik dhe gjeometrik.

Megjithatë, ndërsa shekujt kanë kaluar, kjo figurë emblematike (maskuliste) – si shembull i përpjekjeve për të bashkuar artin dhe shkencën, matematikën dhe arkitekturën – e pezulluar midis dy pozitave dhe katër pozicioneve, me krahët dhe këmbët e zgjatura, duke e përfaqësuar si statikën ashtu edhe stoikën – në riformulimin dhe rikonceptualizimin feminist artistik ndryshon përfaqësimin ikonik (në gjeometrinë e kozmosit) brenda dhe jashtë kornizave të katrorit dhe rrethit kufizues të pabarazisë.

Ajo që është një ekuilibër statik në “Vitruvian Man” tek “Vitruvian Woman” bëhet një përfaqësim i lëvizjes së pabalancuar, duke ilustruar angazhimin e përditshëm dhe kohën e shpenzuar të grave në dhe për punët e shtëpisë, kujdesin e fëmijëve dhe kujdesin për të moshuarit. Në këtë adaptim artistiko-feminist, ndonëse “Vitruvian Woman” ruan pozitat klasike, krahët dhe këmbët e zgjatura — në performim krahët e saj transformohen në akrepa të orës, duke i shënuar vitet, muajt, javët, ditët, orët, minutat dhe sekondat e punës së papaguar dhe punës me dy orare. Lëvizjet në më shumë se dy pozita dhe në shumëfish pozicione simbolizojnë jo vetëm ciklin e pandërprerë të përgjegjësive të pabarabarta në përkujdesje dhe punë shtëpiake, por edhe kërkesën për njohje dhe vlerësim të kontributit ekonomik të grave në familje. Gjithashtu duke e theksuar këtë nëpërmjet alegorisë së kohës si thirrje kumbuese për barazi dhe drejtësi gjinore.

“Vitruvian Woman” nuk replikon thjesht strukturën e figurës së “Vitruvian Man”, por e riformulon atë në aspektin feminist dhe rikonceptualizon nga perspektiva gjinore. Njëherit përmes shprehjeve artistike video-performanca shfaq protestën artistike feministe kundër roleve tradicionale gjinore që lidhin sferën publike me dominimin e burrave, kurse sferën private, veçanërisht familjet, me gratë. Po ashtu, shpërfaq kritikën artistike ndaj normave gjinore dhe pushtetit që i japin formë ndarjes së punës (historikisht kjo ndarje ka çuar në përgjegjësi të pabarabarta përkujdesjeje, veçanërisht kujdesi për fëmijët, kujdesi për të moshuarit dhe punët e shtëpisë, duke i ngarkuar gratë me detyra të rënda përkujdesjeje). Prandaj, gratë edhe sot vazhdojnë të përballen me mundësi të kufizuara për punësim të paguar, arsimim dhe rritje personale, të cilat si rezultat mund të krijojnë varësi ekonomike dhe t’i vendosin gratë në punësim që kërkon aftësi të thjeshta dhe joformale.

Në këtë mënyrë, “Vitruvian Woman” bëhet një testament i aktivizmit artistik feminist që trajton artistikisht rëndësinë e të kuptuarit, vlerësimit dhe rishpërndarjes së përkujdesit si punë të papaguar për arritjen e barazisë gjinore, promovimin e përfshirjes sociale, uljen e varfërisë dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm brenda një kornize gjithëpërfshirëse.

Concept & Art Directing by Ms. Indefinite./KultPlus.com

Screenshot

Të ngjajshme