1 Mars, 2023 - 6:00 pm
Ms.Indefinite së fundi është paraqitur me video performancën e saj të re ‘Zonja Drejtësi’, përcjell KultPlus.
‘Zonja Drejtësi’ vjen si një thirrje artistike që të ngritet zëri për trajtim me fokus të detajuar ndaj dhunës institucionale, dhunës që shprehet nga institucionet përmes pabarazisë gjinore, ligjeve diskriminuese, rregullave, dhe madje edhe ideologjive fetare.
Në vijim gjeni njoftimin e plotë të Ms.Indefinite:
Dhuna institucionale ndaj grave është më e zakonshme nga sa mund të mendohet, ajo ka ndikuar në kulturën tonë që nga themelimi i këtij vendi. Diskriminimi që ju bëhet grave, ndodhë në çdo fazë të procesit të kërkimeve e përpjekjeve të tyre për realizimin e të drejtave, si në polici, në prokurori, në gjykata, në vende pune, në pjesëmarrje politike dhe jo vetëm.
Gratë dhe vajzat e Kosovës përjetojnë dhunë institucionale nëpërmjet vendimeve e gjyqësorit të cilat po aplikohen në mënyrë të njëjtë dhe janë bërë praktikë nga gjykata e tërë territorit të Kosovës. Viktimat e dhunës jo vetëm që ngurrojnë ta paraqesin rastin e tyre mirëpo ato edhe rrezikohen nga abuzuesit e tyre të cilët jetojnë në liri edhe pse kanë kryer vepër penale. Kryesit e dhunës tolerohen duke mos u bërë asnjë pengesë ose veprim për të parandaluar sjelljet e tyre dhe dëmet që këto sjellje i shkaktojnë viktimës. Mungesa e ndëshkueshmërisë, sanksionimi i vogël i veprave dhe kompenzimi i vonshëm i viktimave janë disa nga arsyet pse gratë dhe vajzat, viktimat e dhunës, nuk ankohen ndaj zyrtarëve ose vet institucioneve, të cilët ia kanë mohuar këto të drejta.
Nëpërmjet video-përformancës “Zonja Drejtësi” artisktikisht ngritet zëri për trajtim me fokus të detajuar ndaj dhunës institucionale, dhunës që shprehet nga institucionet përmes pabarazisë gjinore, ligjeve diskriminuese, rregullave, dhe madje edhe ideologjive fetare. Përmes video-përformancës “Zonja Drejtësi” në mënyrë artistike potencohet që dhuna institucionale duhet të parandalohet përmes krijimit të mekanizmave dhe procedurave të koordinuara dhe të integruara mirë, dhuna institucionale e bënë shtetin bashkëfajtor në kryerjen e dhunës ndaj grave.
Video-përformanca “Zonja Drejtësi” është realizuar në bashkëpunim me organizaten joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT)./ KultPlus.com