28 Dhjetor, 2021 - 11:33 am
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje grave shtatzëna të marrin vaksinën anti-Covid pasi ato kanë mundësi të përjetojnë simptoma më të rënda të infeksionit, përcjell KultPlus.
Për të siguruar mbrojtjen e tyre dhe të foshnjeve, MSh u ka bërë thirrje të marrin vaksinat.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të MSh-së:
Gratë shtatzëna kanë mundësi të përjetojnë simptoma më të rënda të infeksionit nga COVID-19.
Vaksinat krijojnë imunitet si te gratë shtatzëna ashtu edhe tek nënat gji-dhënëse.
Studimet kanë dëshmuar se nënat e vaksinuara kanë antitrupa në qumështin e gjirit, përmes të cilit i sigurojnë mbrojtje edhe foshnjës.
Për shkak të rritjes së numrit të varianteve të virusit (SARS COV-2) dhe rëndësisë së mbrojtjes së grave shtatzëna dhe nënave gji-dhënëse, vaksinimi i tyre ka rëndësi në parandalimin e infektimit, sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe lindjes së parakohshme./KultPlus.com