13 Dhjetor, 2021 - 8:00 pm
Në rrugëtimet tona nëpër ngulimet arbëreshe nuk ishin vetëm ato ku edhe sot ruhet gjuha, traditat dhe ritet e të parëve, por edhe ato që kanë pak gjurmë shqiptare, por që janë themeluar nga vëllezërit tanë arbëresh. E tillë ishte vizita e ekipit të “prointegrës” më 16 Nëntor 2021 në Munxifsi apo it. Mezzojuso, një qytet me rreth 3 mijë banorë në një largësi prej mbi 40 kilometrash nga Palermo në Sicili. – Si shenjë i rrallë identiteti ishte një flamur shqiptar në godinën e Bashkisë së qytetit, krahas atij italian dhe të Bashkimit evropian. Është një nga 5 anëtaret e Lidhjes së Bashkive Arbëreshe “Besa” në Sicili, që ruan moton: “Mirë se na erdhët te bota e Skënderbeut”.
Këtu arritëm me një mot relativisht të mirë, por një orë pas ia ktheu një rrebesh shiu i përzier me breshër të furishëm, sa nuk arritëm të realizojmë tërë programin e vizitës sonë. Sa i përket Munxifsit apo Mezzojusos, ky qytet është i vendosur në një lartësi midis 510 dhe 610 metra mbi nivelin e detit, në bregdetin e Palermos. Munxifisi është një qytet tejet atraktiv me godina madhështore, ca nga të cilat datojnë nga shekulli i 16 dhe është i vendosur në kodrën “Brinja” . Lokaliteti ndodhet pak kilometra prej një pylli të quajtur “Brinjë”, shenja më e qartë e pranisë së shqiptarëve në këtë zonë.
Nga shënimet tjera që arritëm të sigurojmë, mësojmë se Mezzojuso u themelua në shekullin XV nga një grup shqiptarësh dhe u emërua Menzil Jusuf. Sot Mezzojuso ruan ende kostumet dhe traditat që demonstrojnë bashkimin e këtij kolonizimi të lashtë dhe kulturën tipike të lashtë siciliane.
Në rrugëtim e sipër me objektivin tonë “kapëm” disa nga Monumentet më të rëndësishëm të Munxifisit siç janë: Kisha e Annunziata, që është një kishë latine e ndërtuar me një stil të shekullit të 18-të; Kishën e San Nicolës , një kishë që ruan vepra mbresëlënëse të artit Bizantin që datojnë nga shekulli i 16-të; Kisha e Santa Maria delle Grazie përfshin Punëtorin Popullore të Restaurimit të Librave të Lashtë. Mbi qutet në mënyrë madhështore ngritët kalaja e ndërtuar në shekullin e 16. Ndërsa brenda qytetit ndodhet edhe një ekspozitë e përhershme e karnavalit ku mund të zbuloni ngjarjet më të rëndësishme folklorike në Sicili. Edhe këtu si në vet Frasineton në Kalabri ndodhet një muze i kukullave siciliane. Gjithashtu në Munxifisi ruan ende veshjet dhe traditat e lashta.
Sa i përket gjuhës në Mezzojuso, shqipja nuk është folur për më shumë se një shekull nga fakti se qyteti është rrit shumë dhe për më tepër edhe për shkak të martesave të vazhdueshme midis “latinëve” dhe shqiptarëve, gjegjësisht arbëreshëve. Kështu që këta të fundit gradualisht kanë humbur pothuajse të gjithë konotacionin e tyre origjinal. E vetmja shenjë e prekshme e kulturës shqiptare është riti bizantin që i bën shqiptarët të ndryshëm, të paktën në liturgji.
Ca rreshta nga historia e vet këtij qyteti: Në 1448, Skënderbeu dërgoi Dhimitër Rerës me një kontingjent ushtarësh në ndihmë të aleatit të tij, mbretit të Napolit, Alfonës V., për të shtypur kryengritjet që përballonte nga rivalitetet me fisnikë të tjerë për fronin e Napolit. Alfonsi u dorëzoi për përdorim si kamp këtë fshat të braktisur shekuj më parë për shkak të plaçkitjeve nga pushtues arabë. Jo shumë kohë më vonë, me vdekjen e Skënderbeut, filloi eksodi i shqiptarëve në Itali, kryesisht në Mbretërinëe Napolit për t’i shpëtuar pushtimit osman. Këtu shqiptarët e rindërtuan dhe ripopulluan fshatin. Ndërsa që sot, popullsia arbëreshe është e papërfillshme.
Si shenjë i rrallë identiteti ishte edhe një flamur shqiptar, që pamë se valëvitej në godinën e Bashkisë së qytetit krahas atij italian dhe të Bashkimit evropian.
Nga Rexhep Rifati /Prointgera / KultPlus.com