13 Gusht, 2019 - 5:00 pm
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë kujton 58 vjetorin e ndërtimit të murit të Berlinit duke e konsideruar si një kurth vdekjeprurës për qindra njerëz dhe e konsideron si muri më famëkeq në botë.
“Muri i Berlinit qëndroi 28 vjet dhe ishte një nga ndërtimet më famëkeqe në botë: Muri ndau Berlinin Lindor dhe Perëndimor. 58 vjet më parë, më 13 gusht 1961, RDGJ filloi ndërtimin e murit. Fortifikimet vdekjeprurëse kufitare ndanë jo vetëm familjet dhe miqtë, por u bënë gjithashtu një kurth vdekjeprurës për qindra njerëz”, shprehet ambasada, transmeton atsh.
Po ashtu, ambasada Gjermane shprehet se një cop e murit të Berlinit ndodhet në Tiranë.
“Për fat të mirë, muri është sot histori! Edhe në Tiranë gjendet një segment i murit në memorialin “Post-Bllok” si një simbol i lirisë që kujton Revolucionin Paqësor në Gjermani, i cili rrëzoi murin në vitin 1989”, shprehet ambasada.
Muri i Berlinit ishte një barrierë e ndërtuar nga republika demokratike e Gjermanisë. U ndërtua më 13 gusht 1961 dhe u shkatërrua më 9 nëntor 1989 edhe pse sot këtij shkatërrimi i kanë mbijetuar disa segmente. Ai u ndërtua nga qeveria komuniste e Gjermanisë Lindore nën komandën e Moskës, për të parandaluar kalimin e mundshëm të emigrantëve nga blloku lindor në Perëndim.
Ishte një barrierë prej betoni e lartë gati 3 metra dhe përshkonte gjithë Berlinin duke e ndarë më dysh për 28 vjet.
Shkatërrimi i tij shënoi fillimin e krisjes së komunizmit në Evropë. Rënia e Murit të Berlinit ndodhi në 3 tetor 1989 dhe ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për shtetin e Gjermanisë. /KultPlus.com