11 Prill, 2025 - 7:11 pm
MUSE-X, ekspofestivali i parë i Muzikës dhe Arteve Kreative në Shqipëri dhe në Ballkan, çeli sot siparin në sheshin “Italia” në Tiranë, duke e kthyer kryeqytetin në vendtakimin e industrisë muzikore, dialogut kulturor dhe bashkëpunimit rajonal.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative në Bashkinë Tiranë, Jonid Jorgji, përfaqësuesja e Muse-x në Mbretërinë e Bashkuar, Emina Curic, përfaqësues të industrisë muzikore, artistët këngëtarë dhe të ftuar të tjerë të linjës.
Muse-X ka bërë bashkë mbi 100 kompani prestigjoze dhe profesionistë të ndryshëm të industrisë së muzikës dhe arteve nga e gjithë Evropa, Mbretëria e Bashkuar, si dhe nga Rajoni, të cilët kanë ardhur në Tiranë dhe për tre ditë me radhë Sheshi “Italia” do të mbushet me argëtim, konferenca dhe tedtalks.
Muse-X synon krijimin e një platforme ambicioze ku ekonomia kreative është protagoniste kryesore. Ndërkohë që netët përgjatë 11-13 prill, do të zgjasin deri në mesnatë, ku skena gjigande e muzikës do të ndizet nga tre koncerte të muzikës elektronike, hip – hop dhe rock&roll, për të gjithë publikun.
Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi e konsideroi këtë aktivitet si një hapësirë ku bashkohet, arti, muzika, teknologjia dhe rinia për të ndërtuar një të ardhme ndryshe.
“Në këtë botë që ndryshon gjithnjë e me ritme më të shpejta, ku krijimtaria është kthyer në një kapital dhe talenti në një aset zhvillimi është jetike që të rinjtë tanë të kenë hapësira reale për të shprehur veten dhe për të ndërtuar rrugët e tyre drejt suksesit. Muse-x është pikërisht kjo hapësirë, një mundësi konkrete që të rinjtë shqiptarë dhe nga e gjithë bota që merren me fushën e muzikës, të mund të takohen me profesionistë të fushës për të shkëmbyer ide e për të ndërtuar partneritete. Si qeveri ne jemi të vendosur që ta bëjmë këtë frymë mbështetëse një realitet të përditshëm”, tha Muzhaqi.
Zv.ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa theksoi se, “kjo ngjarje i jep një vëmendje të veçantë komunitetit artistik shqiptar dhe ky event premton një tri ditësh të mbushur plot aktivitete, me panele, me beteja repi, dhe spikera nga e gjithë bota”.
“Ky është një organizim unik jo vetëm për Tiranën por ndoshta edhe për Ballkanin, duke tërhequr një interes të gjerë nga kompani dhe organizatorë të ndryshëm. Kjo nismë na pëlqen se, lidhet edhe me vizionin që ministria ka pasur, për programet për grantet për kulturë dhe krijimtari”, tha ajo.
Në vitin kur Tirana është shpallur si kryeqyteti i mesdhetar i kulturës dhe dialogut, nuk mungonte në këtë event edhe përfaqësuesi i Bashkisë së Tiranës, Jonid Jorgji i cili tha se, “jo shumë vite më parë nuk mendohej që ky event do të bëhej në Tiranë. Sot në Tiranë vijnë artistë të huaj dhe më vjen mirë që Tirana është sot një epiqendër e artit dhe kulturës”.
“Muse-X nuk është thjesht një panair por një ekspofestival i bazuar në tri shtylla, Ekspozita, konferenca dhe festival”, u shpreh ideatori dhe themeluesi i Muse-X, Luel Muhametaj.
“Ne duam të vendosim unitetin në Ballkan, pasi duhet t’a pranojmë jemi vende të vogla, me tregje dhe popullsi të vogla. Prandaj duam të bëhemi një “portë e artë” për kompanitë internacionale që duan të hyjnë në vendin tonë”, tha ai.
Muhametaj theksoi gjithashtu se për tri ditë radhazi sheshi “Italia” do të kthehet në vendin e dritave, ngjyrave si dhe ritmeve të eleltronikës, hip-hopit dhe muzikës rrok.
Në të njëjtin linjë ishte dhe Emina Curic, përfaqësuese e Muse-x në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo tha se, “ ne e ndërtuam Muse-x si platforme për të formalizuar, bashkuar, dhe për të aktivizuar industrinë e muzikës në Ballkan”.
Këtë event të rëndësishëm të përmasave botërore e përshëndeti dhe Alban Kastrati, drejtori i marrëdhënieve me mediat i “Sunny Hill Festival”, që njihet nga mediat botërore si krijim i Dukagjin Lipës, babait të Dua Lipës. Ai tha se, rajoni jonë mund të bëjë ngjarje të mëdha, të sjellë një frymë të re dhe pse jo në skenat tona të performojnë artistë ndërkombëtar.”
Eventi vijoi me një sërë aktivitetesh nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, Ansambli “Hyjnesha” i Graz-it në Austri dhe një tjetër detaj interesant që nuk mund të kalonte pa u vënë re ishte fakti që Drejtori artistik i Unum Festival dhe themeluesi i Secret Society, i dhuroi Albania Dj Academy 200 disqe Vinyl./atsh/KultPlus.com