Musine Kokalari, veprimtare politike dhe shkrimtare e persekutuar nga regjimi komunist

10 Shkurt, 2025 - 10:44 am

108 vjet më parë lindi shkrimtarja Musine Kokalari, në Adanë të Turqisë.

Familja Kokalari u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari u vendos në Tiranë. Në vitin 1937, mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.

Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari.

Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie.

Në vitin 1961, e nxorën nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret me kancer dhe dy vjet më pas ndahet nga jeta.

Dhjetë vjet pas largimit nga kjo jetë, në vitin 1993, iu dha pas vdekjes medalja “Martir i Demokracisë”./KultPlus.com

Të ngjajshme