31 Gusht, 2024 - 10:00 pm
Miliarderi Elon Musk dhe kompania e tij e automjeteve elektrike Tesla janë liruar nga një padi kolektive e monedhës digjitale Dogecoin prej 258 miliardë dollarësh.
Padia, e ngritur në vitin 2022, pretendonte se komentet nga Musk në Twitter, tani e njohur si X dhe në pronësi të tij, manipuluan çmimin e Dogecoin dhe dëmtuan investitorët e kriptomonedhave.
Investitorët pretenduan se deklaratat e Musk-it, përfshirë se Dogecoin mund të jetë monedha e tij e preferuar, kriptomonedha e njerëzve dhe monedha e ardhshme e Tokës, ishin mashtruese.
Sipas dokumenteve të gjykatës, ata gjithashtu cituan pretendimet se Dogecoin mund të bëhet standardi për sistemin financiar global pasi Musk vendosi një Dogecoin në SpaceX dhe e fluturoi atë në Hënë duke thënë se Dogecoin do të paguante për misionin dhe atë se automjetet Testa mund të blihen me Dogecoin.
“Këto deklarata janë aspiruese dhe të fryra, jo faktike dhe të prirura për t’u falsifikuar”, shkroi në vendimin e tij gjyqtari amerikan i Qarkut Jugor të New York-ut, Alvin K. Hellerstein.
“Sa i përket skemës së supozuar ‘mbush dhe zbraz’ nga Musk dhe Tesla, nuk është e mundur të kuptohen pretendimet që përbëjnë bazën e përfundimit të paditësit për manipulimin e tregut”, shtoi ai.
Një numër i paditësve që iu bashkuan padisë në grup kërkuan 86 miliardë dollarë dëmshpërblim, përveç dëmeve të trefishta prej 172 miliardë dollarësh.
Dikur një kriptomonedhë e panjohur e krijuar si shaka, në fillim të vitit 2021 Dogecoin u rendit shpejt në top dhjetëshen e kriptomonedhave pasi Musk vazhdimisht postonte në Twitter në favor të saj.
Dje, Dogecoin u rendit e 8-ta në mesin e aseteve të kriptove me një kapital tregu prej 14.7 miliardë dollarësh.
Ndryshe nga kriptomendha më e madhe në botë Bitcoin, Dogecoin nuk ka ndonjë kufi në minimin e tij ose në sasinë që krijohet. /atsh/ KultPlus.com