6 Prill, 2025 - 11:34 am
Këshilltari presidencial i SHBA-së, Elon Musk, ka folur në favor të një zone të tregtisë së lirë transatlantike pa tarifa, disa orë pasi tarifat e reja globale gjithëpërfshirëse të presidentit Donald Trump hynë në fuqi.
Duke folur përmes lidhjes video në një konferencë të partisë së krahut të djathtë të Italisë ”Lega”, në Firence të shtunën vonë, kreu i prodhuesit të makinave elektrike ”Tesla” tha se shpresonte që ”SHBA dhe Evropa të mund të bien dakord për një partneritet edhe më të ngushtë se më parë”.
”Shpresoj se me tarifat është rënë dakord që si Evropa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të lëvizin, në mënyrë ideale për mendimin tim, në një situatë me tarifa zero, duke krijuar në mënyrë efektive një zonë të tregtisë së lirë midis Evropës dhe Amerikës së Veriut”, tha Musk.
Dje, qeveria amerikane prezantoi tarifa universale prej një minimumi prej 10% për importet nga të gjitha vendet, të cilat ishin njoftuar nga Trump në fillim të javës.
Tarifa ndëshkuese dukshëm më të larta do të zbatohen për disa vende, në varësi të deficitit tregtar.
Importet nga Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian në SHBA përballen me tarifa të reja prej 20% duke filluar nga e mërkura.
Trump ka premtuar se tarifat do të rikthejnë “epokën e artë” të SHBA.
Pas njoftimit të tij të mërkurën, bursat ranë në të gjithë botën.
Musk foli për rreth 15 minuta në konferencën e partisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të kryetarit të ”Lega”-s dhe zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini.
Para zgjedhjeve federale gjermane, Musk ishte një mbështetës i hapur i ”Alternativës për Gjermaninë” (AfD) të ekstremit të djathtë.
Sot, Salvini do të kandidojë për t’u rizgjedhur si udhëheqës i ”Lega”-s – si kandidati i vetëm.
Pritet që politikanë të tjerë nga spektri populist i djathtë do t’i bashkohen konferencës së partisë, duke përfshirë kryeministrin hungarez Viktor Orbán, udhëheqësin e Rassemblement National të ekstremit të djathtë të Francës, Jordan Bardella dhe kreun e partisë spanjolle Vox, Santiago Abascal./atsh/ KultPlus.com