Musk: Nëse Twitter nuk u bindet ligjeve lokale, mund të ndërpritet qasja në të

23 Qershor, 2023 - 8:39 pm

Pronari i Twitter-it, Elon Musk, tha se nëse platforma sociale nuk u bindet ligjeve lokale, atëherë qasja në platformë në atë vend mund të ndërpritet.

I pyetur rreth komenteve të fundit nga bashkëthemeluesi i Twitter-it, Jack Dorsey, Musk tha se Twitter nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’u bindet qeverive lokale.

Së fundmi, Dorsey tha se India kërcënoi të mbyllte platformën nëse nuk zbatonte urdhrat për të kufizuar llogaritë që kritikonin qeverinë e kryeministrit Narendra Modi për trajtimin e protestave të vitit 2021. Zyrtarë të qeverisë së Indisë përgënjeshtruan këto akuza.

“Nëse nuk u bindemi ligjeve të qeverisjes vendore, atëherë do të mbyllemi. Kështu që më e mira që mund të bëjmë është të punojmë afër ligjeve në çdo vend”, tha Musk, duke paralajmëruar se përndryshe “do të jemi të bllokuar ose të arrestuar”.

Duke u shprehur se “nuk mund thjesht të zbatohet Amerika në të gjithë botën”, Musk tha: “Ne do të bëjmë çmos për të ofruar lirinë sa më të madhe të shprehjes që është e mundur sipas ligjit”.

Më parë, Musk u takua me kryeministrin indian, Narendra Modi, i cili ndodhet në SHBA në vizitën e tij të parë shtetërore.

Musk, gjithashtu shef ekzekutiv i kompanisë Tesla, tha se Modi e ftoi prodhuesin e makinave elektrike të bëjë investime të rëndësishme në Indi. I pyetur nëse Tesla do të hyjë në tregun indian, ai tha se planifikon të vizitojë Indinë vitin e ardhshëm.

“Kam besim se Tesla do të jetë në Indi dhe kjo do të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur nga ana njerëzore. Unë do të doja të falënderoja kryeministrin për mbështetjen e tij dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të shpallim diçka në një të ardhme jo shumë të largët”, tha Musk./KultPlus.com

Të ngjajshme