21 Prill, 2025 - 9:11 pm
Modernizimi urban i Durrësit po shtrihet, jo vetëm në rrugë, lagje dhe sheshe, por po bën të mundur edhe rilindjen e disa objekteve historike me të cilat qyteti identifikohet.
Muzeu Arkeologjik është një prej tyre, që po rilind nga e para pas goditjes nga tërmeti, një thesar i vyer i historisë sonë të antikitetit me më shumë se 2400 objekte, të cilat me përfundimin e restaurimit do të ekspozohen në pavione tërësisht të reja, me ndriçim dhe kushte bashkëkohore, e që bashkë me rikualifikimin e hapësirës në oborrin e muzeut do të kthehen në një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit historik në vend.
Kryetari i PSSH, Edi Rama gjatë vizitës së tij në Durrës, ndaloi në këtë Muze për të parë ecurinë e punimeve për restaurimin, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, e cila informoi se Muzeu Arkeologjik tërheq në numër shumë të madh vizitorësh.
“Një objekt, që nuk mund të rrimë pa e treguar historinë. Fillon në ‘88 dhe ngec, ndërtohet keq. Në 2010 mbyllet prapë. Në 2015 hapet, por prapë në gjendje jo të mirë. Si objekt, ka pasur tentativa nga pushtetarët para 2013 për ta bërë markatë në planet e tyre, dhe në projektin e ri që vëmë në jetë këtu, na del një problematike me strukturën, e cila del që nuk ka qene e ndërtuar si duhet, kështu që përforcimet dhe ndërhyrja pas tërmeteve, bëhet me ndryshim projektesh që në fillim. Kjo ka sjellë vonesë në kalendarin e punimeve, në radhë të parë, në radhë të dytë trashëguam në 2015 një objekt që ishte tokë pa letra, probleme ligjore. Të gjitha këto janë kompletuar deri vitin e fundit me shumë mundim, shpronësime, dokumentacion në mënyrë që të bënim projektin e plotë brenda dhe jashtë”, tregoi
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, shtoi se është dyfishuar sipërfaqja e ekspozimit. “Kati i dytë, do jetë pak më inovator. Ka shumë material, ka shumë inventar, ka shumë arkiva”, tha ai.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako informoi se në rikostruksion është dhe Muzeu Etnografik, edhe ai i dëmtuar nga tërmeti i 2019.
Ministri Gonxhja tregoi edhe mbi detaje të tjera të projektit siç është rikualifikimi i gjithë hapësirës përreth muzeut, që merr një vlerë të re.
“Kati i dytë, jeta sociale, aktivitete ku sheh nga të gjitha krahët dhe do ketë shumë gjallëri, vizitorë, fëmijë, kurse. Kati i dytë riorganizohet i gjithi për muzeun që nuk ka qenë. I gjithë oborri merr shumë vlerë. Do ndërtohet një tendë statike që të vizitohet dhe pjesa e jashtme. Do hiqen të gjitha, do pastrohen dhe do ketë objekte, aktivitete dhe një ashensor paronamik nga mbrapa ku do shkosh direkt në katin e tretë. Disa gjetje të mozaikut të Gjergj Kastriotit duam t’i lidhim në një shteg. Kolonat janë të riforcuara, pothuajse të ristrukturuara se ishin problematike”, detajoi Ministri Gonxhja, ndërsa shtoi se Muzeu është parashikuar të përfundojë në muajin shtator të këtij viti.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është muzeu arkeologjik më i madh në Shqipëri.
I themeluar në vitin 1951, muzeu ka një koleksion të pasur me objekte që datojnë nga periudha parahistorike deri në shekullin IV pas Krishtit. Këto objekte janë zbuluar kryesisht në sitin antik të Dyrrahut, i njohur ndryshe si Dyrrhachium, dhe përfshijnë artefakte nga periudhat helenistike, romake dhe bizantine.
Eksponatet më të njohura përfshijnë stele romake funerale, sarkofagë prej guri dhe bustet e vogla të perëndeshës Venus, që dëshmojnë periudhën kur Durrësi ishte një qendër e kultit të saj./atsh/KultPlus.com