11 Shkurt, 2025 - 2:12 pm
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dha sot, një ditë pas prezantimit, detaje rreth projektit për Muzeun dhe Memorialin e Dëshmisë dhe Kujtesës që do të jetë një kontribut për të përkujtuar me respektin e duhur të shkuarën e dhimbshme të vuajtjeve gjatë sistemit komunist.
Sipas Becit, projekti është i ndarë në katër ndërhyrje kryesore, ndërsa “muzeu ofron një interpretim të plotë të rolit të qendrës së paraburgimit, krimeve të kryera atje dhe kontekstit historik. Arkitektura dhe ekspozitat janë të integruara për të krijuar një përvojë kohezive dhe të përfshirë që shpreh rëndësinë e vendit”.
“Burgu rikthehet në gjendjen e tij origjinale nga koha kur ishte funksional, me galerinë në nivelin e sipërm të hapur për vizitorët. Një interpretim i ri ofron një përvojë shqisore që paraqet jetën e përditshme të të burgosurve. Elemente specifike do të rikthehen në gjendjen e tyre origjinale për të përmirësuar narrativën e vendit”, thotë Beci.
Sipas kryetarit të bashkisë Shkodër, memoriali është një hapësirë publike e krijuar rishtazi, e dedikuar për të kujtuar viktimat dhe për të organizuar ceremonitë që deri tani zhvillohen brenda muzeut. Ai gjithashtu shërben si një hapësirë urbane e aksesueshme nga rruga kryesore, për të përkujtuar viktimat dhe duke theksuar rëndësinë e parandalimit për përsëritjen e ngjarjeve të tilla
Gjithashtu, Qendra e Edukimit dhe Hulumtimit do të jetë një hapësirë publike brenda muzeut, e dedikuar për të organizuar ekspozita të përkohshme, punëtori edukative dhe evente. “Ajo mund të ketë gjithashtu një departament hulumtimi që është përgjegjës për mbledhjen dhe arkivimin e informacionit, si dhe kurimin e ekspozitave përkohshme ose udhëtuese”, u shpreh Beci ndërsa ndau pamje nga projekti.
Ky projekt, por edhe disa të tjerë transformues për qytetin e Shkodrës u prezantuan dje gjatë një aktiviteti i ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama./atsh/KultPlus.com