Muzeu Historik Kombëtar, aktivitete me rastin e festave të nëntorit

17 Nëntor, 2023 - 10:38 am

Në kuadër të 17 nëntorit, Ditës së Çlirimit të Tiranës, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Shoqatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Dega Tiranë, organizuan sesionin shkencor me temë: “Simbolet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Tiranë”.

Në fjalën e tij prof. ass. dr Bernard Zotaj foli rreth simboleve për Qemal Stafën dhe heronjve të Kodrës së Kuqe, për lapidarin në kujtim të Barakës së Nushajve, monumentin Nënë Shqipëri, lapidarin në Pezë kushtuar Heroit të Popullit Myslym Peza etj.

Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29.10 – 17.11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.

Në ditët në vijim, Muzeu Historik Kombëtar do të ketë edhe aktivitete të tjera në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të atdheut. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme