7 Shkurt, 2024 - 10:31 pm
Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm muzeor në vend, gjatë muajit janar të këtij viti u vizitua nga një numër i lartë vizitorësh.
“Nga data 1-31 janar Muzeu Historik Kombëtar u vizitua nga 4527 vizitorë në total, 187 % më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin janar të vitit 2023, me 1578 vizitorë në total”, bëri të ditur MHK.
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj.
Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./ atsh/ KultPlus.com