11 Shtator, 2022 - 12:15 pm
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë vazhdon të zgjojë interesin e turistëve vendas dhe të huaj.
Sipas statistikave të vizitueshmërisë, në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë numri i vizitorëve ka ardhur në rritje gjatë 2022.
Muaji gusht i vitit 2022 shënoi një rritje prej 30 % të numrit të vizitorëve krahasuar me muajin gusht të vitit 2019.
Konkretisht në gusht të këtij viti muzeu u vizitua nga 1541 vizitorë, ndërsa në gushtin e vitit të kaluar nga 1185 vizitorë.
Sipas MKAM, vizitueshmëria në muze përgjatë këtij viti ka treguar rritjen më të madhe përgjatë gjithë viteve të funksionimit.
I konsideruar si një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë, ai hapi dyert në vitin 1980 dhe iu nënshtrua restaurimit në vitin 2016.
Në godinën e re të muzeut janë ekspozuar rreth 400 ikona nga të cilat 250 ikona i prezantohen publikut për herë të parë.
Mënyra e ekspozimit vjen në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Prezantimi i trashëgimisë së Artit Mesjetar të rikthen në gjenezën e mistikes dhe ritualeve të shenjta.
Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre etj, janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara./atsh/ /KultPlus.com