Muzeu i Kështjellës, dëshmi për zhvillimin e hershëm të Shkodrës si koloni romake

13 Shtator, 2024 - 9:32 am

Muzeu i Kështjellës është pjesë e rrjetit të muzeve të Shkodrës. Brenda tij janë të ekspozuara artefakte që përbëjnë dëshmi të banimit të Shkodrës në periudha të ndryshme historike.

Një prej tyre është Mbishkrim Latin, që u zbulua gjatë një projekti arkeologjik shqiptaro-polak, i nisur në vitin 2011. Objekti mbart vlera të rëndësishme historike për Shkodrën e shekujve të parë pas L.K.

“Bëhet fjalë për një dedikim të një qytetari të Shkodrës në shekullin III mbas Krishtit, për personalitetin më të rëndësishëm të qytetit. Atij i dedikohet gjithë respekti që qyteti kishte fituar statusin e një municipimi romak,” tregon arkeologu Helidon Sokoli.

Mbishkrimi Latin është i pari i identifikuar vitet e fundit në këtë pellg arkeologjik të qytetit, pasi të tjerët nuk ekzistojnë më prej ndryshimeve gjeodemografike të territorit.

“Mbishkrimet e tjera tëidentifikuara në truallin e Shkodrës antike, në pjesën fushore, kanë humbur me ndryshimin e kohërave, me ndryshimin demografik e gjeodemografik të territorit, prej vërshimit të ujërave që rrethojnë Shkodrën,” shton z. Sokoli.

Objekti i ekspozuar është një riprodhim pasi origjinali është i pamundur të vizitohet pasi ndodhet nën ujë.

Vitet e fundit është rritur interesi i vizitorëve për Muzeun e Kështjellës dhe thesaret e saj./rtsh/KultPlus.com

Të ngjajshme