30 Janar, 2025 - 10:30 pm
“Mona Lisa” do të zhvendoset në një hapësirë të re ekspozuese pasi Muzeu i Louvreit në Paris do t’i nënshtrohet rinovimit. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën qëndroi para kryeveprës së Leonardo da Vincit, teksa bëri njoftimin para një audience me personalitete, sa u përket ndryshimeve që do të prezantohen në vitin 2031 dhe vizitorët do të ngarkohen me çmim shtesë për të parë pikturën.
Presidenti francez ka përshkruar projektin e tij të Rilindjes së Re, i cili do të përfshijë gjithashtu një konkurs ndërkombëtar për të hartuar një hyrje të dytë për të lehtësuar presionin në rritje të numrit të vizitorëve nën Piramidën e famshme prej xhami. Ndryshimet e tarifave do të aplikohen gjithashtu nga janari i ardhshëm, kështu që banorët jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë turistët e Mbretërisë së Bashkuar, do të paguajnë më shumë për vizitë.
Macron ka dhënë edhe përgjigje ndaj paralajmërimeve nga drejtoresha e Muzeut të Louvres, Laurence des Cars, se institucioni po vuan nga problemet e mëdha të mbipopullimit dhe dështimit të infrastrukturës. Në një letër drejtuar qeverisë, të bërë publike në fillim të këtij muaji, Des Cars ka treguar se Piramida – e cila që nga viti 1989 është pikë unike e hyrjes në galeri – ishte “strukturalisht e paaftë për të përballuar” numrin e vizitorëve që tani arrijnë më shumë se 9 milionë në vit. Ajo tregoi gjithashtu se “në këndvështrimin e të gjithëve, prezantimi i ‘Mona Lisës’ është diçka që duhet shqyrtuar”.
Për çdo ditë rreth 30 mijë veta kalojnë shkallët e muzeut duke e bërë atë më të vizituarin në botë
Rreth tri të katërtat e 30 mijë vizitorëve të përditshëm të Muzeut shkojnë për të parë pikturën e Leonardo da Vincit, por është bërë një provë qëndrueshmërie, me një turmë të vazhdueshme që kalon nëpër “Salle des Etats” dhe merr mesatarisht 50 sekonda për të vëzhguar e për të bërë foto.
“Publiku… nuk ka asnjë mënyrë për të kuptuar punën e artistit, gjë që ngrit pikëpyetje mbi të gjithë misionin tonë të shërbimit publik”, ka shkruar Des Cars në letrën e saj. Sipas projektit të Macronit, fasada lindore e Muzeut – e cila sot është klasike e ballafaquar nga një hendek artificial dhe një hapësirë pak e përdorur – do të ridizajnohet. Një hyrje e re do të japë qasje të menjëhershme në hapësirat e reja ekspozuese nëntokësore nën “Cour Carré”, e cila nga ana tjetër do të lidhet me zonën poshtë Piramidës.
Macron ka thënë se fronti i ri – ndryshimi më i madh në Muze që nga projekti i “Louvrit të Madh” të presidentit François Mitterrand 40 vjet më parë – do të lidhet me planet e qytetit për të krijuar një zonë “të gjelbër” të mbushur me pemë. Sipas tij, ky plan do të ndihmonte në integrimin e Muzeut në qytet dhe “ua kthen atë parisienëve”. Ai shtoi se largimi i “Mona Lisës” nga pozicioni i saj aktual do t’ia mundësonte Muzeut ta prezantojë atë siç duhet dhe do ta bëjë më të lehtë shikimin e kryeveprave të tjera, të cilat “shumë shpesh anashkalohen” e që janë të ekspozuara në “Salle des Etats”.
Punime të mëdha rinovimi do të ndërmerren gjithashtu në vitet e ardhshme për të modernizuar infrastrukturën dhe për të ofruar tualete të reja, restorante dhe ambiente pushimi. Kostoja e përgjithshme llogaritet në disa qindra milionë euro. Macron ka treguar se projekti nuk do t’u kushtonte asgjë taksapaguesve, pasi do të financohet përmes shitjes së biletave, donacioneve dhe marrëveshjes së sponsorizimit me Muzeun e Louvrit në Abu Dhabi. Me kompetencat e tij të shkurtuara ndjeshëm që nga humbja e shumicës në Parlamentin francez gjashtë muaj më parë, presidenti ka qenë në kërkim të një kauze të re me të cilën do të sigurojë trashëgiminë e tij. Udhëheqja e tij shumë e lavdëruar në restaurimin e bërë pas zjarrit të katedrales “Notre-Dame” duket se ia ka hapur dëshirën për një projekt të ngjashëm madhështor në Muzeun e Louvreit./KultPlus.com