Muzeu Kombëtar promovon botimin e revistës shkencore ‘Studime Muzeologjike’ Nr.14

18 Janar, 2024 - 6:15 pm

Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi sot promovimin e revistës shkencore “Studime Muzeologjike” Nr. 14.

Kjo revistë është organ i Muzeut Historik Kombëtar dhe si e tillë është e hapur dhe gjithpërfshirëse në rrethin e bashkëpunëtorëve të saj.

Qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, antropologjisë, konservimit dhe restaurimit të objekteve muzeore.

Kjo revistë shkencore botohet një herë në vit. Ideatori i botimit të revistës “Studime Muzeologjike” ka qenë ish-drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, studiuesi i pasionuar Moikom Zeqo. Gjatë viteve 2002, 2003, 2004 kanë dalë rregullisht numrat e revistës.

Pas një ndërprerjeje prej dhjetë vjetësh, në vitin 2014 u realizua botimi i numrit të katërt të revistës “Studime Muzeologjike”. Botimi i revistës ka vijuar edhe në vitet 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021, 2022 dhe 2023.

Redaksia e revistës Studime Muzeologjike përbëhet nga emra të spikatur të shkencës dhe kulturës shqiptare.

Në këtë numër të revistës “Studime Muzeologjike” kanë shkruar:

-Dr. Adriana Qafa, vjen me artikullin “Orientalisti i shquar Vexhi Buharaja”.

-Dr. Nikollë Loka, vjen me artikullin “Politika arsimore italiane ndaj Shqipërisë deri në vitin 1912”.

-Prof. ass. dr. Berbard Zotaj, vjen me artikullin “Agresioni fashist dhe pjesëmarrja e vullnetarëve shqiptarë në Luftën e Spanjës (1936 -1939)”.

-Dr. Asllan Zemani, vjen me artikullin “Përpjekjet e para për formimin e Aviacionit Ushtarak Shqiptar”.

-Redis Marku, vjen me artikullin “Konservimi i objekteve muzeale. Mjedisi, metodat dhe rëndësia e ruajtjes së Trashëgimisë Kulturore”.

-Andrea Llukani, vjen me artikullin “Ikona e Shpatarakut në Galerinë e Ohrit”.

-Ilirjan Gjika, vjen me artikullin “Bazilika paleokristiane e Margëlliçit”.

-Ledio Xhoxhi, vjen me artikullin “Refleksione mbi parteritetin muze-turizëm kulturor”.

Revista mbyllet me mbresa nga ekspozita “Kinematografi’’ nga piktori Orges Merdani./KultPlus.com

Të ngjajshme