Muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton viktimat e para të klerit katolik

4 Mars, 2024 - 3:30 pm

Muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot viktimat nga kleri katolik, të ekzekutuar pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër më 4 mars 1946.

Gjatë dhjetorit të vitit 1945, autoritetet komuniste zbuluan në Shkodër organizatën “Bashkimi Shqiptar” që drejtohej nga i riu seminarist Mark Çuni. Organizata ishte shfaqur nëpërmjet disa trakteve antikomuniste të lëshuara në qytetin e Shkodrës. Për këtë arsye, u arrestuan gjithashtu si përgjegjës Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani si eprorë dhe profesorë të seminarit. Gjithsej u arrestuan 39 persona.

Kjo do të ishte e para goditje e organizuar ndaj klerit katolik në Shqipëri.

Në gjyqin e mbajtur në kinema “Rozafati”, prokurori Aranit Çela akuzoi të pandehurit se “Kanë punuar për t’i përgatitur fushë të favorshme fashizmit Italian, me pushtimin e vendit kanë punuar për legalizimin e okupacionit dhe për fashistizimin e vendit e të popullit, kanë ndihmuar organizatat tradhëtare të krijuara nga armiku dhe qeveria kuislinge, kanë sabotuar rezistencën e popullit, duke kryer akte terrorizmi etj”. Në mungesë të provave, çdo akuzë se do të kryenin akte terroriste u mohua nga klerikët.

Nga 39 të arrestuar, 7 prej tyre u dënuan me vdekje. Ekzekutimi me pushkatim u krye pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër më 4 mars 1946 për:

– Atë Daniel Dajani

– Atë Giovanni Fausti

– Atë Gjon Shllaku

– Djakon Mark Çuni

– Qerim Sadiku

– Gjelosh Lulash Bajraktari

– Fran Miraka (u ekzekutua më 3.7.1946)

Foto të marra nga ISKK dhe fq. e Kastriot Dervishit. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme