Muzeu “Marubi”: 2024 viti më i suksesshëm, më shumë se 22 mijë vizitorë

17 Janar, 2025 - 12:29 pm

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” publikoi statistikat e vizitueshmërisë sa i përket vitit 2024, vit i cili rezulton të jetë më i suksesshmi që nga hapja e këtij muzeu.

“Marubi” shprehet në faqen e tij, në rrjetet sociale, se ky sukses erdhi falë një programi bashkëkohor i cili u ndoq prej 22534 vizitorësh.

Krahasuar me vitit 2023, muzeu shënoi një rritje prej 17.3% vizitorësh më shumë, ku shqiptarët janë vizitorët më të shumtë në numër me 33%, më pas renditen francezët me 11.2%, italianët me 9.5%, gjermanët me 8.7% dhe anglezët me 5.4%.

“Viti 2025 për Muzeun “Marubi” do të jetë një vit edhe më sfidues me programe e nisma të reja për fotografinë”, shkruhet në faqen e Muzeut Kombëtar të Fotografisë.

Aktualisht, në “Marubi” janë duke u ekspozuar disa nga punët më të mira të Gregory Crewdson, në kuadër të ekspozitës “Eveningside”, kuruar nga Jean-Charles Vergne.

Gregory Crewdson (lindur me 1962, Brooklyn, SHBA) është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht. “Eveningside” u çel për artdashësit e fotografisë, ditët e fundit të dhjetorit 2024.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” mban në qendër të tij trashëgiminë e “Foto-Studio Marubbi-it”, themeluar në vitin 1856 nga Pietro Marubbi, piktori dhe fotografi italian i cili kishte ardhur dhe ishte vendosur në Shkodër në atë kohë. Aktiviteti i studios ndër vite, do të drejtohej dhe pasurohej nga tre breza fotografësh deri në fillimin e viteve 1950 kur Gegë Marubi u detyrua t’i dorëzohej anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në Kooperativën e Riparim-Shërbimeve, sektor i së cilës ishte edhe fotografia./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme