17 Mars, 2025 - 1:32 pm
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” zhvilloi një masterclass dyditor frymëzuar nga ekspozita e artistit Gregory Crewdson që qëndroi për disa muaj po në “Marubi”.
Masterclass-i “Eksplorim në botën vizuale të Gregory Crewdson” ftoi studentët e Universitetit të Arteve të zbulonin botën unike dhe kinematografike të serisë “Eveningside” nga fotografi amerikan me famë botërore, Gregory Crewdson.
Me mentoren Orestia Kapidani, pedagoge në atelierin e fotografisë, studentet praktikuan kompozimin, ndriçimin dhe inskenimin të frymëzuar nga mjeshtëria e Crewdson-it në krijimin e atmosferës dhe misterit.
Fotografitë janë realizuar nga vetë studentët dhe secila prej tyre shoqërohet nga një tekst i shkurtër.
Gregory Crewdson është një fotograf amerikan që bën printime të imazheve kinematografike të përmasave të mëdha. Ai ndërton skena psikologjikisht të ngarkuara, si dhe inskenime të vendosura në peizazhe dhe ambiente periferike. Crewdson drejton një ekip të madh prodhimi dhe ndriçimi për të ndërtuar imazhet e tij./atsh/KultPlus.com