Muzeu mbretëror jordanez i makinave, një udhëtim nëpër histori

23 Prill, 2022 - 1:30 pm

Muzeu mbretëror i makinave në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, ofron një përvojë unike për entuziastët e automjeteve dhe entuziastët e historisë së automjeteve.

Në muzeun e ndërtuar në një strukturë moderne në parkun e mbretit Hussein, i hapur në vitin 2003 nga mbreti i Jordanisë, Abdullah II, gjenden mbi 70 automjete të vjetra klasike si “automjeti i parë” dhe “motoçikleta e parë”.

Vendi është muzeu i parë i automjeteve i hapur për publikun në botën arabe dhe hedh dritë mbi historinë e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë nga vitet 1920 e deri më sot.

Në muzeun e ndërtuar në kujtim të ish-mbretit jordanez, ekspozohen automjetet e përdorura nga mbreti Abdullah I dhe mbreti Hussein.

Duke qenë dëshmitarë të ngjarjeve që shënuan periudhën kur janë përdorur në Jordani, këto automjete u bëjnë përshtypje entuziastëve të makinave klasike.

Automjetet në muze shquhen jo vetëm me përdorimin e synuar, por edhe me pamjen, cilësinë dhe karakteristikat e periudhës.

Automjeti i parë, motoçikleta e parë në muze

Në muze gjendet edhe një kopje e ”Benz Patent-Motorwagen”, automjeti i parë në histori.

Ky automjet i vitit 1886 është prodhuar nga Karl Benz.

Me këtë shpikje, mënyra e jetesës së njerëzimit ndryshoi, u ndërtuan rrugë, u ndërtuan fabrika automjetesh, u rrit lëvizshmëria mes njerëzve.

Një shembull i motoçikletës ”Daimler Experimental Motorcycle”, i cili njihet si “babai i motoçikletës”, mund të shihet në muze.

Në muze gjenden edhe motoçikletat ”Vincent”, 998 cc, “Black Shadow” dhe ”Brough Superior” SS 80.

Thuhet se ”Vincent”, 998 cc, “Black Shadow”, i cili mori titullin e motoçikletës më të shpejtë në botë në vitin 1948, iu dha si dhuratë muzeut për t’u ekspozuar sepse ishte më i miri në epokën e saj.

Automjetet e prodhimit të veçantë dhe ai i përdorur në vizitën e papa Françeskut

Në muze janë edhe automjetet e markës ”Lincoln”, të preferuara nga presidentët amerikanë.

Këto automjete, të cilat përdoren edhe nga familja mbretërore, zënë një vend të rëndësishëm në kujtesën e vendit.

”Land Rover-V8 Defender” i përdorur nga papa Françesku gjatë vizitës së tij në Jordani në vitin 2014 është i ekspozuar në muze. Flamujt e Jordanisë dhe të Vatikanit janë vendosur para automjetit të projektuar posaçërisht për vizitën.

Në muze mund të shihet edhe ”Mercedes Benz SLR McLaren” “Stirling Moss”, një nga makinat më të rralla dhe më të shpejta të prodhuara në botë.

Gjithashtu në muze zë vend edhe ”Ferrari” F50 i prodhuar enkas për 50-vjetorin e kompanisë në vitin 1996. Ky automjet i cili është prodhuar vetëm 349 ekzemplarë është përdor edhe nga mbreti Hussein.

Në muze ka edhe një makinë amfibe. Thuhet se “automjeti lundrues” i cili i është dhënë mbretit Hussein është përdorur në Akaba.

”Star Wars Speeder” dhe ”The Martian Rover”

Automjetet e përdorura në filmat e xhiruar në rajonin turistik të vendit, Wadi Rum, janë gjithashtu të ekspozuara në muze. Këto automjete, të cilat janë dhuruar nga kompanitë e prodhimit të filmit për t’u ekspozuar, vizitohen me kureshtje nga vizitorët.

Në muze mund të shihen automjetet “Star Wars Speeder” nga filmi “Rise of Skywalker” si dhe “The Martian Rover” nga filmi “The Martian”.

Gjithashtu ekspozohet edhe biçikleta ”Light Electric Bike”, që paraqet linjat e motoçikletës virtuale të përdorur në filmin fantastiko-shkencor ”Tron”./ KultPlus.com

Të ngjajshme