25 Shtator, 2024 - 11:04 am
Me rastin e Ditëve Europiane të Trashëgimisë, Qendra Muzeore Berat ka ekspozuar një nga objektet arkeologjike që ka në fondin e saj, relikuarin prej mermeri i shekullit VI.
Relikuari u ekspozua në Muzeun Ikonografik “Onufri”, pas një procesi pastrues e konservues.
Ky objekt i rrallë i periudhës paleokristiane përmendet për herë të parë në një studim të historianit austriak Bushbek në vitin 1918 që e evidenton brenda Kishës së Ungjillëzimit (Evangjelizmoit) por në vitin 1990 studiuesi gjerman Guntram Koch publikon një studim te detajuar në revistën Monumentet 1990 (Nr 40).
Simbolet, figurat dhe përmasat e vogla bëjnë të mendosh për një mbajtës relikesh të shenjtorëve. Shembuj të ngjashëm si ky objekt gjenden në Sirinë e largët në territoret e dikurshme të Perandorisë Bizantine dhe mermeri është i importuar nga një vend i panjohur por është punuar nga mjeshtër lokalë, që korrespondon me periudhën e dytë të lulëzimit të Beratit (Pulheriopolis) në çerekun e dytë të shekullit VI./atsh/KultPlus.com