3 Qershor, 2023 - 7:42 pm
Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh gjatë majit të këtij viti.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bën të ditur se “në maj të këtij viti muzeu u vizitua nga 10 081 vizitorë, ndërsa janë mbledhur 2.026.470 lekë, duke shënuar një dyfishim të numrit krahasuar me majin e 2022”.
Sipas QKM Berat, në maj të vitit të kaluar muzeu u vizitua nga 4 628 vizitorë dhe u mblodhën 935.150 lekë.
“Gjatë majit muze pati një fluks të lartë vizitorësh nga e gjithë bota, ndërsa në ditët e para turistët që kanë vizituar muzeun janë nga Polonia”, thekson QKM Berat.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./KultPlus.com