6 Shkurt, 2024 - 9:34 pm
Në kuadër të ditës ndërkombëtare të sigurisë kibernetike, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga AKCESK dhe ASHDMF, në Ditën Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt.
Muzhaqi theksoi se, në këtë takim u diskutua mbi sigurinë online, në një kohë ku janë përhapur fenomene si bullizmi dhe krimi online, duke parashtruar njëherazi dhe masat e qeverisë për parandalimin dhe trajtimin e këtyre fenomeneve.
“Fëmijët dhe të rinjtë janë aktorë kryesorë në zhvillimin e vrullshëm të teknologjive, andaj është detyra jonë t’ju sigurojmë lundrim të qetë dhe të sigurt në internet. Në rast evidentimi të incidenteve online, raporto pranë AKCESK, ALO 116 111 dhe isigurt.al, që situata të zgjidhet sa më shpejt”, u shpreh Muzhaqi.
Ndërsa kryetarja në detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory u shpreh në fjalën e saj në aktivitet se, “të rinjtë e sotëm janë krijues dhe konsumatorë të epokës digjitale. Fëmijët do të jenë arkitektët e mundësive të tyre digjitale dhe do të shmangin kërcënimet e vazhdueshme. Siguria në internet fillon me ndërgjegjësimin tuaj dhe kujdesin për njëri-tjetrin. Mësoni veten dhe mësojini prindërit si ta bëjnë internetin të sigurt. Autoriteti Kombëtar Cesk, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Prezenca e OSBE janë partnerët tuaj”.
Ajo theksoi se, fuqizimi i fëmijëve si pjesëmarrës aktivë në sigurinë e tyre digjitale është thelbësor dhe se ata kanë luajnë rol të rëndësishëm në formësimin e një internet më të sigurt për të gjithë.
“Së bashku me komunitetet, prindërit dhe mësuesit, ata mund të kultivojnë një mjedis digjital ku fëmijët të lulëzojnë, të mësojnë dhe të eksplorojnë në mënyrë të sigurt”, tha ajo. /ATSH /KultPlus.com