Nagavci: Jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor, por presim rekomandimet e IKSHPK-së

7 Shtator, 2021 - 4:14 pm

Përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022 kanë qenë temë kryesore e diskutimit në një takim virtual në të cilin kanë marrë pjesë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përfaqësues të Drejtorive Komunale të Arsimit, përfaqësues të SBAShK-ut dhe ata të Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Sipas njoftimit të MASHTI-t, Nagavci, citohet të ketë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë bazuar në situatën epidemiologjike çdo vendim do të merret duke i respektuar rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë.

Ministrja bëri të ditur se është rishikuar udhëzuesi dhe protokollet për mësim në situatë pandemie derisa shtoi se në vizitat që ka zhvilluar në shkolla është informuar se janë të gatshme për fillimin e vitit shkollor.

Nagavci shtoi se, situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rënduar dhe vazhdon të mbetet e tillë, derisa ka përmendur rëndësinë e vaksinimit të mësimdhënësve dhe prindërve.

Besim Avdimetaj, kryetar i Kolegjiumit të DKA-ve, u pajtua që janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, ndërsa tha se vaksinimi i mësimdhënësve tashmë është në një përqindje të lartë, por do të merren për bazë rekomandimet e IKShP-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, u shpreh se apeli i kësaj sindikate dhe MASHTI-t për vaksinim ka ndikuar pozitivisht te mësimdhënësit, të cilët janë të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor, me dëshirën që të krijohen kushte për mësim në shkolla, por nëse e imponon situata atëherë do të japin kontributin e tyre të plotë edhe në skenarin online.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi theksoi se presin që Udhëzuesi të jetë në harmoni me skenarët./KultPlus.com

Të ngjajshme