20 Gusht, 2021 - 12:30 pm
Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe akademik, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit që të vaksinohen që të plotësohen kushtet për një fillim sa më të mbarë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka njoftuar se sipas të dhënave të IKSHPK-së, numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët është 55.094 derisa dy javë më parë kjo shifër ka qenë 29.878.
Nagavci thotë se po synojnë që viti i ri shkollor dhe akademik të nisë me prezencë fizike.
Postimi i plotë:
Të nderuar mësimdhënës, drejtorë shkollash e staf tjetër i institucioneve edukativo-arsimore, të dashur studentë.
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë e IKSHP-së, numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët është 55.094 derisa dy javë më parë kjo shifër ka qenë 29.878.
Bazuar në këto të dhëna shihet se ditëve të fundit ka pasur një rritje të interesimit për t’u vaksinuar.
Meqë jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik, ftoj edhe njëherë të gjithë punëtorët e arsimit që të vaksinohen.
Ne jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor dhe atij akademik dhe po synojmë që ky proces të nis me prezencë fizike.
Meqë jemi në situatë pandemie, paraprakisht duhet t’i plotësojmë kushtet për një fillim sa më të mbarë. Prandaj vaksinohuni.
Suksese të gjithëve e na priftë e mbara!./KultPlus.com