Nagavci për Festën e Abetares ku u lanë anash fëmijët nga pakicat: Dënoj çdo formë diskriminimi

18 Maj, 2022 - 9:04 am

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar në lidhje me rastin ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e abetares, në një organizim në Pejë.

Nagavci thotë se shpreh shqetësimin e thellë për këtë rast dhe se të njëjtin do ta shqyrtojë me prioritet.

“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie  si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e Festës së Abetares, në Pejë. Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrtojmë me prioritet që nesër, me DKA-në e Pejës”.

Mes tjerash, Nagavci thotë se si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës.

“Parimi i mos diskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet. Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës”, ka shkruar Nagavci në Facebook. / KultPlus.com

Të ngjajshme