15 Maj, 2021 - 8:15 pm
Pas raportimeve për ngacmimin seksual ndaj një të miture në një shkollë në Prishtinë ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shkruan KultPlus.
Në një postim në Facebook ajo ka thënë se ende s’kanë informata zyrtare, mirëpo do ta trajtojnë rastin me prioritet dhe kujdes të veçantë.
Nagavci tutje ka shkruar se është me rëndësi të ketë bashkëpunim të plotë mes shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale dhe institucioneve të tjera.
Më poshtë mund ta lexoni statusin e saj të plotë:
Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente.
Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eleminojmë dukuritë negative nga shkollat dhe shoqëria jonë.
Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre./ KultPlus.com