25 Maj, 2024 - 12:50 am
Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej” kanë zhvilluar sot më 25 maj në Gjirokastër “Konferencën shkencore në nderim të 175-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit”.
Seanca e parë u drejtua nga Rektori i Universitetit të Gjirokastrës prof. Bektash Mema, akad. Pëllumb Xhufi-Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe prof. Merita Gjokutaj.
Në fjalën e përshëndetjes Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi foli për rolin e madh të Naim Frashërit në rilindjen kombëtare dhe vendin që zë krijimtaria e tij në letërsinë shqipe.
Fjala e plotë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi
“I nderuar prof. dr. Bektash Mema, Rektor i Universitetit “Eqrem Çabej”,
Të dashur profesorë, akademikë, studiues pjesëmarrës nga vendet e rajonit, nga Kosova e Greqia,
Kjo konferencë shkencore që po çelim është e para në rendin e një vargu veprimtarish që Akademia e Shkencave ka parashikuar të zhvillojë këtë vit, në 175-vjetorin e lindjes së figurës emblematike të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit e gjatë këtij viti do të ndiqet nga konferenca e botime të tjera, veprimtari nderimi dhe studimi.
Në historinë e popullit tonë ka pasur shumë personalitete që i kanë mbiquajtur Shqiptari, por vetëm njërit prej tyre populli i bashkoi edhe emrin e vendit të vet, dhe ky ishte Naim Shqipëria.
Siç pati shkruajtur Eqrem Çabej tutje tetë dekadave e ca, ideologjia kombëtare shqiptare lindi dhe u formësua si një zgjim sinkronik: dega lindore e saj, me Naim Frashërin në kryeqendër, që udhëhiqej nga idealet iluministe volteriane të Perëndimit, nga njëra anë; dhe dega europiane e saj, me Jeronim de Radën në qendër, e cila, bashkëvajtëse e rrjedhave të bajronizmit, kishte në përmbajtjen e vet ekzotikën e Lindjes: dhe jo vetëm të lindjes në këtë anë të Adriatikut, të “Motit të madh të arbërve”, por ekzotikën tipike perëndimore, që mbërrinte deri te mitet e kryemoçme sanskrite.
Naim Frashëri dhe Jeronim de Rada janë dy figurat më të rëndësishme të shekullit të formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Rreth tyre bashkohen të gjithë: poetë, mendimtarë, publicistë, kryengritës.
Naim Frashëri është ndër figurat e rralla që nuk është kontestuar gjatë gjithë historisë së jetës dhe veprës së vet.
Naim Frashëri është poeti i historisë së letërsisë shqipe i gjithëpranuar si poet kombëtar e çdo përpjekje për të krijuar opozicione të gjithfarshme me figurën e tij: mbi baza lokale, gjuhësore, madje edhe fetare, s’ka patur jehonë e vetëm e kanë lartësuar figurën e tij. Vëreni me sa elegancë dhe fisnikëri shkruante Àt Gjergj Fishta për njërin prej trinisë së pandashme të Frashërllinjve pikërisht Àt Gjergj Fishta, në veprën e tij Lahuta e Malcìs, krejt sfidant ndaj ngucakeqasve që e bezdisnin dita me ditë duke e pyetur direkt e tërthorazi: pse të ketë një poet kombëtar, a nuk duhet të ketë një jugu e një veriu, një tosk e një gegë, një të krishterë e një mysliman:
Aj âsht trimi Frasher Begu,
Qi gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la nâm aj Toskënìs,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnìs.
Ka pasur Frashërllinj me emër edhe më parë. Frashërllinj ishin edhe Dalip e Shahin Frashëri, poetë bejtexhinj që shkruan poema të mëdha epike sipas modës së bejtit oriental. Dhe Naimi, siç thonë studiuesit, mësoi prej tyre rregulla dhe kode të vargëzimit. Por jo frymën. Frymën ai e mori nga shpirti i kombit.
Ndryshimi që ndodhi në kalimin prej Frashëllinjve bejtexhinj tek Frashërllinjtë e ideologjisë së Rilindjes ka qenë epokal. Me Naimin ndodhi kalimi prej vjershërisë perandorake otomane në vjershërinë kombëtare. Në rrethanat që u krijuan pas masakrës së Manastirit (1830) dhe zhdukjes me rrënjë të elitës së vjetër vendase, e vetmja shpresë shpëtimi për Shqipërinë ishte lindja e një elite të re. Dhe Naimi krijoi modelin si të ndihesh shqiptar. Ndoshta për këtë duhet t’i jemi më së shumti mirënjohës atij. Ky ndikim i tij, u ndje në tërë periudhat e mëvonta veçanërisht në momentet më të vështira për vendin e popullin siç ishte periudha e pushtimit nazifashist gjatë së cilës një prej batalioneve më aktive partizane mori emrin “Naim Frashëri”.
Naim Frashëri i erdhi Shqipërisë si një projekt ardhmërie. Dhe nuk erdhi nga boshi. Ajo u parapri nga ideologjia e shekullit të 18-të, që tek arbëreshët u quajt albanesità, gjatë së cilës emri Shqipëri dhe emri shqiptar u përgjithësuan ndër tërë bashkatdhetarët, për të kulmuar me shprehjen lapidar për vendin e tyre prej Naim Frashërit Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar.
Imazhi i Shqipërisë ekziston në shumë forma: ka një Shqipëri politike, ka një Shqipëri ekonomike, një Shqipëri zakonore, një Shqipëri gjuhësore. Por Shqipëria më e bukur është Shqipëria letrare dhe midis Shqipërive letrare ajo e Naimit është shkëndijuese, po aq shkëndijuese sa edhe Arbëria e lavdisë së epokës së Gjergj Kastriotit në poemat e De Radës.
Naim Frashëri i bëri bashkëkombësit e vet të besonin se vendi i tyre ishte po aq i denjë sa çdo komb tjetër i qytetëruar në botë. Qëllime të tilla mund t’i arrijnë vetëm poetët misionarë.
Naimi është nga ata poetë që doli jashtë kufijve të gjuhës së vet. Ai shkroi vepra origjinale në greqisht, turqisht dhe persisht, shkroi e botoi edhe arabisht. Ai studiohet si poet shqiptar i masnavive në historinë e letërsisë persiane. Hartoi gramatika të gjuhëve të Lindjes, të persishtes klasike dhe të osmanishtes; shkroi tekste shkollore për arsimin shtetëror të perandorisë, që u botuan edhe pasi u nda nga jeta. Lexonte iluministët francezë dhe përshtati vepra nga frëngjishtja.
Kur Samiu përkthente Të mjerët në turqisht, Naimi përkthente Iliadën shqip e turqisht. Vepra e tij u shtri nëpër kontinente. Shkruante Bagëti e Bujqësinë duke ndjekur gjurmën Virgjilit tek Gjerogjiket e Bukoliket, rikrijonte sipas modeleve dhe motiveve të më të madhit poet të humanizmit klasik pers Xhelaledin Rumiu, adhuronte Ruso e Volterë, përkthente atin e vjershërisë, Homerin. U shkruante europianëve dhe popujve të Ballkanit në gjuhët e tyre. Kanë kaluar 120 vjet nga ndarja e tij nga jeta dhe prapë ka vepra të reja që zbulohen.
Naim Frashëri është ndoshta i vetmi poet që nuk ka nevojë jo të përshtatet, po as të redaktohet – kaq e afërt dhe ekumenike është shqipja e tij për të gjithë folësit bashkëkohës. Në themelet e shqipes së sotme është verbi naimian. Kongresi i drejtshkrimit nuk do të merrte dot vendimet që mori pa veprën e Naimit. Poezia e Naimit u këndua madje edhe në mënyrë polifonike nga këngëtarët popullorë të Kosovës kur Kosova ishte ende Jugosllavi.
Ne do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për idenë misionare që shqiptoi; për projektin e Rilindjes Kombëtare, që çoi në pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës; projekt i cili ka ende për të realizuar atë që sot quhet integrimi europian.
Figura e Naimit, vepra e tij, shërbejnë si qiriu për ta çuar deri në fund këtë projekt madhështor, që shprehej përmes vargjeve të tilla:
Jak’ o ditë e uruar,
Që lind nga perëndon,
At’ anë e ke ndrituar
E ne pse na harron?” / KultPlus.com